Libri i gazetarit gjerman Erich Rathfelder “Kosovo” rrëfen historinë e krijimit të shtetit më të ri të Evropës, parë nga perspektiva e aktorëve kryesorë dhe njerëzve të prekur
Nga Anila Shuka
Me përshkrimin e gjallë të gëzimit dhe euforisë së shqiptarëve në rrugët e Prishtinës më 17 shkurt 2008, trishtimin dhe zhgënjimin e serbëve në veri dhe enklava, qëndrimin e rezervuar të qeverive perëndimore, por edhe vëmendjen e jashtëzakonshme të medies ndërkombëtare për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Erich Rathfelder hap rrëfimin prej 450 faqesh.
Ai nis në vjeshtën e vitit 1987, kur asokohe redaktori i së përditshmes gjermane TAZ, më vonë korrespondent në Ballkan, do të bënte udhëtimin e tij të parë në ish-krahinën autonome të Jugosllavisë. Në rrugët e Prishtinës në atë kohë demonstronin gratë serbe kundër gjoja "gjenocidit dhe përdhunimeve të shqiptarëve ndaj serbëve."
Rathfelder tregon me shifra
Por edhe nëpërmjet bisedave me protagonistë të asaj kohe nga të dyja palët, për shembull me organizatorin e protestave, nacionalistin serb, Kosta Bulatoviçin, Rathfelder tregon se e tëra ishte manipulim. Ishin përgatitjet psikologjike për të ardhur drejt qershorit të vitit 1989, kur Millosheviçi do të mbante fjalimin e tij historik me rastin e 600-vjetorit të luftës së Fushë-Kosovës dhe me këtë rast do të legjitimonte përfundimisht heqjen e autonomisë së krahinës me rreth dy milionë banorë shqiptarë.
"Heqja e statutit të autonomisë në Kosovë e provokoi konfliktin dhe nuk u dha mundësi shqiptarëve që të jetonin në Jugosllavinë e vjetër”, thotë shpjegon Rathfelder në një intervistë për programin shqip të Deutsche Welles. Kjo tezë është e përhapur tek studiuesit e vendeve perëndimore. Por faktet dhe dëshmitë që sjell gazetari 63-vjeçar në librin e tij e shpjegojnë fillimin dhe ecurinë e konfliktit nga një perspektivë tjetër: Ajo e njerëzve të thjeshtë.
"Unë doja të tregoja, se sa i pathyeshëm ishte vullneti i popullsisë shqiptare për liri, me gjithë vuajtjet e shumta. Ishte diçka shumë e bukur, që bashkësia ndërkombëtare, që për vite me radhë nuk e kuptonte situatën në Kosovë, më në fund e shpërbleu." Shpërblim që i falënderohet edhe tragjedisë së Srebrenicës të vitit 1995: Pa Srebrenicën Kosova nuk do ta kishte fituar vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, thotë Rathfelder, i cili që nga viti 1992 jeton në Split dhe Sarajevë. Nëpër 16 kapitujt e librit ai përshkruan çdo gjë, vendimet politike, ngjarjet historike, zhvillimet partiake, dhe të tërën e lidh me jetën e njerëzve.
Nëpërmjet perspektivës së tyre ai analizon dhe kritikon në fjalën përmbyllëse mungesën e strategjisë së Evropës ndaj Kosovës, por edhe qëndrimin e Serbisë, e cila, për sa kohë që nuk njeh kufijtë e Kosovës, nuk mund të jetë faktor stabilizimi në rajon.
Por një nga aspektet interesante në librin e Rathfelderit është analiza që i bën ai shoqërisë shqiptare të Kosovës: Kalimi nga "proletariati akademik", që sundonte LDK-në, kështu i quan ai brezat e tërë të lauretëve të universitetit të Prishtinës në vitet 80-ta e deri tek rinia e sotme.
Të paktë ishin funksionarët e LDK-së që mund të quheshin me të vërtetë intelektualë. Rathfelder përmend këtu ish-kryeministrin e qeverisë në ekzil, Bujar Bukoshin.
"Shumica e funksionarëve të tjerë ishin njerëz kishin përfunduar universitetin e Kosovës, por nuk kishin përvojë me Perëndimin, sepse Serbia i bllokonte në mënyrë të qëllimshme kontakte të tilla."
Periudha e transformimit të Kosovës
Në këto dy dekada, përveç vuajtjeve të shumta për njerëzit, pati si efekt edhe modernizimin e shoqërisë, analizon ai më tej. "Por unë i kam varur shpresat tek një brez edhe më i ri, i cili nuk ka lidhje me strukturat e vjetra. Vetëm ky brez mund të krijoj një shoqëri me të vërtetë të re, ku demokratike dhe sociale, ku nuk ka vetëm bërryla, e ku shteti nuk shikohet vetëm si mundësi për tu shfrytëzuar, por edhe për t'i shërbyer”.
“Sundimi i plisave u thye", e quan ai në mënyrë simbolike prishjen e strukturave tradicionale si pasojë e ardhjes së UÇK-së, që krijoi struktura të reja pushteti.
Megjithëse Erich Rathfelder ka qenë shumë afër realitetit - kjo vihet re nga bisedat e shumta me njerëzit në Kosovë - ai nuk e ka humbur distancën që nevojitet për të analizuar në tërësi strukturat shoqërore të jetës në vend.
Është për të ardhur keq që ky libër, i botuar në një nga shtëpinë më prestigjioze gjermane Suhrkamp nuk është redaktuar ashtu siç e meriton e që shumica e emrave janë shkruar gabim.
Me gjithë këtë mangësi sipërfaqësore, ky vështrim gazetaresk, sociologjik dhe politologjik mbi Kosovën na sjell historinë e parë të kapshme dhe gjithëpërfshirëse të formimit të shtetit më të ri të Evropës.
Deutsche Welle