Ulqin, 18 tetor, NOA - Në Ulqin ku 85 për qind e banorëve janë shqiptarë sot po zhvillohen zgjedhjet lokale pasi ne zgjedhjet e majit asnjë subjekt nuk arriti të ketë shumicën për parlamentin lokal të Ulqinit.
Për 33 vende të këshilltarëve sa numëron asambleja komunale konkurrojnë shtatë parti politike dhe dy koalicione. Sipas kryetarit te komisionit komunal ne Ulqin Pjetër Lulgjuraj, deri tani çdo gjë është duke shkuar mbarë.
'Çdo gjë po shkon mbarë dhe ka filluar shumë mirë procesi i votimit. Në këto çaste mund të deklaroj se procesi zgjedhor po shkon mbare dhe pa asnjë pengese".
Gjithsej ne territorin e komunës janë 35 qendra votimi, ndërkohë që komisioni zgjedhor numëron 18.500 votues. Në zgjedhjet lokale të majit asnjëra nga listat nuk mundi të formojë shumicën parlamentare, ndërkohë që presidenti Filip Vujanoviç shpalli zgjedhjet e reja të cilat po zhvillohen sot. Këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë për komunën e Ulqinit , jo vetëm për shkak të vendimeve të rëndësishme që pritet të sjell parlamenti lokal për zhvillimin e kësaj komune por edhe për faktin që kjo shumicë duhet të zgjedh edhe kryetarin e ardhshëm të Komunës së Ulqinit . Ndaj dhe gara parazgjedhore ka qene mjaft e ashpër posaçërisht midis blloqeve më të forta të cilat pretendojnë për numrin më të madh të vendeve në asamblenë komunale.
NOA/DV