Tiranë, 19 tetor 2010 NOA/ Rid Bulku – Denoncim i fortë vjen nga Liliana Hoxha, bashkëshortja e djalit të madh të diktatorit komunist Enver Hoxha. Gruaja e Sokol Hoxhës ka deklaruar në intervistë televizive se vajza e saj Valbona kanosej nga rreziku i rrëmbimit prej Azem Hajdarit duke shtuar: “Më është thënë rreziku, që Azem Hajdari, do ta rrëmbejë dhe do të inaugurojë një shtëpi publike me mbesën e Enver Hoxhës”.
Deklarata akuzë u bë sonte në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në tv Klan, ku Liliana Hoxha ka deklaruar se u detyrua të marrë arratinë me fëmijët jashtë vendit nga frika se ish-lideri i Dhjetorit, i ndjeri Azem Hajdari, do të rrëmbente të bijën.
Liliana Hoxha ka rrëfyer se vendosi të dërgojë Valbonën dy fëmijët e tjerë të saj në Kanada, për vetë lidhjet që kishte pasur familja e diktatorit te komunistët kanadezë, që Liliana Hoxha tha në intervistë se ishin financuar nga Partia e Punës së Shqipërisë.
Por Liliana ka rrëfyer se edhe pse udhëtimi ishte destinuar për në Kanada, fëmijët e saj kishin përfunduar në Kubë dhe konkretisht në kryeqytetin Havanë por për një vit e gjysmë rresht as Liliana nuk e dinte se ku gjendeshin fëmijët e saj dhe besonte se gjendeshin në Kanada.
Liliana Hoxha tregoi në intervistë sesi fëmijët e saj vajti t’i vizitojë pas një viti e gjysmë në Havanë ku u paralajmërua se rrezikohej rikthimi pasi mund t’i arrestonte dhe burgoste ish – presidenti i atëhershëm Sali Berisha.
Kurse ka pohuar më tej: “Pasi fëmijët tanë përfunduan në Kubë, ne nuk duhet të flisnim as në telefon, por lidheshim vetëm me Polinën që na thoshte se fëmijët janë mirë, se nuk duhet të lidheshim në telefon se Azem Hajdari, të më ndjejnë shqiptarët, po flas atë që kam përjetuar, është betuar se do t’i gjejë kudo që të jenë dhe nëpërmjet telefonatave me fëmijët do t’i lokalizojë se ku janë”.
r.b/NOA