English

E rrallë - Ekzekutohet me varje, pas 88 vjetësh merr pafajësinë

Melburn, 19 Tetor 2010 NOA/ Rid Bulku - E varën në vitin 1922 si fajtor për vrasje por pas afro 90 vjetësh gjendet i pafajshëm për jetën e humbur të vogëlushes që atëherë ishte një ngjarje e bujshme e që tronditi opinionin publik.

Ngjarja e rrallë vjen nga Australia. Kolin Kejmbëll Ros (e shihni në foto), në prill të vitit 1922 u gjykua nga drejtësia australiane dhe u gjet përgjegjës për vrasjen e vajzës 12 vjeçare Alma Triske, krim i ndodhur në dhjetor të vitit 1921.

Ros atëherë këmbënguli se nuk ishte ai autori i krimit të shëmtuar, por megjithë përpjekjet e tij, atëherë nuk arriti të bindë askënd sepse askush nuk e besoi.

Pas hetimesh shumëvjeçare që u kryen nga policia dhe prokuroria në Australi, u arrit të zbulohej vetëm këto ditë, se qimet e gjetura në trupin e vajzës së vrarë, nuk ishin të të varurit me vendim gjykate, Kolin Kejmbëll Ros (Colin Campbell Ross).

Ndaj një gjykatë në Australi ka nxituar tani ta shpallë të pafajshëm të ekzekutuarin për një krim që e mohoi deri në fund dhe që kurrë nuk e kishte kryer.

Mëngjesin e djeshëm, Ministri australian i Drejtësisë, Robert Hols, deklaroi se eshtrat e të ndjerit Ros, do t’i jepeshin të afërmve të të ndjerit që jetojnë ende, me qëllim që t’i varrosin pranë vendbanimit të tyre, pasi gjithë këto vite, me gjithë kërkesën e familjarëve, kjo gjë ishte refuzuar.

Familjarët kanë reaguar orët e fundit dhe janë shprehur se do të varrosin eshtrat e Ros pranë varrit të të ëmës e cila iku nga kjo botë ndërsa i biri ishte ekzekutuar me varje për një krim që kurrë nuk e pranoi dhe që i shkatërroi jo vetëm atij jetën pro edhe të afërmve të tij nga njolla e shëmtuar që u la pa fajin e tij.

“Me dorëzimin e eshtrave të të ndjerit shpresojmë që sado pak, të rregullojmë një gabim të kryer. Për fat të keq, ne nuk mund t’i japim përsëri të ndjerit Ross, jetën e pajetuar”, - tha Ministri i Drejtësisë.

r.b/NOA

KOMENTE