Tiranë, 18 tetor, NOA /Milena Selimi - Një ekspozitë me fotografi nga Harald Schmitt dhe tekste nga Stefan Wolle. Publikuar nga fondacioni për Zbardhjen e Historisë të Diktaturës së SED-së (Unionit Socialist Gjerman) dhe revista “Stern”.
Ekspozita trajton pyetjet: “Çfarë ishte RDGJ-ja?” Në vitin 1989, përgjigja dukej e qartë: Në atë kohë në RDGJ qindra e mijëra njerëz dolën në rrugë për të demonstruar kundër diktaturës së SED-së, për lirinë e lëvizjes dhe kushte më të mira jetese. Sot shpesh përlëvdohet jeta e përditshme në RDGJ. A kishte atje me të vërtetë një gjë të tillë si një “botë ideale” në mes të diktaturës? Apo diktatura e SED-së dhe jeta e përditshme ishin në fund të fundit të lidhura bashkë në mënyrë të pashmangshme?
Ekspozita e fondacionit për Zbardhjen e Historisë të Diktaturës së SED-së dhe revistës “stern” kërkon t'u gjejë përgjigje këtyre pyetjeve dhe t'ju ftojë në një diskutim.
Fotografitë e fotografit nga Hamburgu Harald Schmitt, korrespondent i revistës “stern” për një kohë të gjatë në RDGJ, si dhe tekstet e historianit Stefan Wolle lindur në Halle/Saale ju ftojnë në një udhëtim në kohë, në një realitet i cili ende sot është i huaj. Përmes kësaj ekspozite të ideuar së bashku, fondacioni federal dhe revista “stern” synojnë të japin një kontribut në studimet historiko-politike.
Ekspozita, e cila do të hapet më 18 tetor në Ambasadën Gjermane mund të vizitohet nga artdashësit deri më 28 tetor 2010.
m.s/n.e/NOA