English

Jakup Krasniqi: Kosova, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Prishtinë, 18 tetor, NOA - Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha BBC-së se qëndrueshmëria institucionale në vend do të mund të krijohej me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme deri para fundit të këtij viti.

Krasniqi tha se do të ishte e mirë që të kishte një konsensus të përgjithshëm politik në Kosovë për të shkurtuar kohën e krizës politike duke mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai tha se Kushtetuta nuk parasheh krijimin e qeverisë teknike dhe, sipas tij, i takon udhëheqësit aktual të koalicionit të prishur, kryeministrit Thaçi të vendos nëse dëshiron votëbesim në Kuvend.

Në një bisedë me BBC-në, presidenti në detyrë tha se LDK-ja me vendimin për dalje nga koalicioni ka shikuar interesin partiak në vend të atij institucional duke e sjellur vendin para zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe duke krijuar krizë.

Z.Krasniqi, cili është vlerësimin nëse Kosova ka hyrë tani në fazën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend të atyre të parakohshme?

Është e vërtetë. Tani mund të themi se kemi një krizë institucionale pas largimit, ndoshta të papritur të LDK-së nga koalicioni qeverisës. Situata tani është mjaft konfuze megjithatë Kushtetuta parasheh edhe mundësi të daljes edhe nga kjo situatë. Varet shumë nga udhëheqësi i koalicionit nga radhët e PDK-së, se si do ta planifikojë daljen nga kjo zgjidhje por, natyrisht varet edhe nga partitë e tjera. Ndoshta do të ishte mirë që të ketë një konsensus të përgjithshëm në këtë situatë dhe ky konsensus i përgjithshëm do të ishte më i miri i mundshëm, për të shkurtuar kohën e kësaj krize politike, duke organizuar zgjedhje të jashtëzakonshme. Por edhe kjo varet nga partitë politike që duhet të dalin në zgjedhje.

Nëse ju flisni për zgjedhje të jashtëzakonshme kjo do të thotë se ato duhet të zhvillohen deri nga fundi i këtij viti?

Realisht, nëse subjektet politike dhe Kuvendi kanë gatishmërinë për të shkurtuar jetëgjatësinë e krizës politike të shfaqur, ose krizës institucionale do të duhej të mendonin jo aq shumë për numrat që do t’i fitonin në zgjedhje por duhet të mendojnë për krijimin e një qëndrueshmërie institucionale në Kosovë. Krijimi i kësaj qëndrueshmërie, sipas të gjitha analizave, mendoj se do të ishin zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të nënkuptonte zgjedhje para Vitit të Ri.

Më lejoni t’ju pyes zoti kryetar. Mendohet se ka edhe një zgjidhje tjetër, duke e mandatuar një kryeministër të ri për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme të shpallura për 13 shkurt.

Bazuar në Kushtetutë nuk parashihet qeveria teknike, por parashihet mundësia që kryeministri të ofrojë mocion votëbesimi dhe nëse nuk merret atëherë përsëri i ofrohet një kryeministri tjetër i cili në këto rrethana e ka të vështirë ta marrë votëbesimin nga Parlamenti dhe kjo do të shtynte gjendjen por nuk do të kishte zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Dhe për fund, ka hyrë Kosova në krizën e saj më të rëndë dhe më të thellë politike deri sot?

Shikuar realisht partitë politike të koalicionit do të duhej, ndoshta edhe në një formë në dorëheqje, që të prisnin ditën e 13 shkurtit të vitit 2011 për zgjedhje. Por, edhe pse vlerësoj se LDK-ja ka një përgjegjësi institucionale ajo në këtë rast nuk ka shikuar interesin institucional dhe funksionimin e institucioneve, por më tepër ka shikuar një anë të interesit partiak. Në këtë rrafsh konsideroj se ajo e ka sjellë vendin para zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe ka krijuar një krizë.

BBC

KOMENTE