English

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Demontimi i armëve, rrezikohet "Gërdec" i dytë

Tiranë, 18 tetor, NOA - Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson me shqetësim informacionet e mbërritura nga banorët e fshatrave të Tepelenës, pranë të cilëve kryhet demontimi i municioneve luftarake.

“Ankesa të tilla kanë paraqitur edhe banorët në afërsi të uzinës mekanike të Poliçanit, ku gjithashtu kryhet demontim i municioneve luftarake. Pretendohet se në këtë proces kaq të rrezikshëm janë angazhuar persona jo profesionistë, se ky proces ka ndikuar dhe po ndikon negativisht edhe në gjendjen shëndetësore të qytetarëve dhe se mungojnë impiantet, apo filtrat e pastrimit të gazrave me efekte të dëmshme për mjedisin, sidomos për shëndetin e njerëzve”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ky organizëm.

Duke shtuar se lidhur me këtë çështje, ende nuk ka ndonjë prononcim publik nga ministria e Mbrojtjes, ajo e Shëndetësisë, ose ministria e Mjedisit, të cilat kanë përgjegjësinë dhe detyrën të kujdesen, e të marrin masat e nevojshme, që nga veprimtaria shtetërore e sipërpërmendur të mos i shkaktohet dëm askujt.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim sepse ndonëse qytetarët kanë të drejtë të informohen për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, siç sanksionohet shprehimisht në nenin 56 të Kushtetutës, atyre askush nuk iu përgjigjet për shqetësimet që kanë ngritur”, citohet më tej, në këtë deklaratë.

Duke përfunduar se KSHH u sugjeron në mënyrë të veçantë organeve të shëndetësisë, të verifikojnë pretendimin e banorëve të fshatrave të Tepelenës dhe të qytetit të Poliçanit, për gjendjen e rënduar psikologjike të fëmijëve, si pasojë e demontimit të municioneve, sepse kjo mund t’ju shkaktojë atyre dëmtime shumë të mëdha për të ardhmen.

“E vlerësojmë të nevojshme, që me këtë rast, të risjellim në vëmendje ngjarjen tragjike të Gërdecit, nga e cila mësuam se nëse nuk vlerësohet në kohë çdo informacion i ofruar dhe nuk merren masat e nevojshme, “e keqja” mund të përsëritet. Në procesin e demontimit është e domosdoshme, jo vetëm të zbatohen me rigorozitet rregullat e përcaktuara por dhe të kontrollohet vazhdimisht zbatimi i tyre, duke vënë para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës që nuk kryejnë si duhet detyrën”, përfundon deklarata.

n.e/NOA

KOMENTE