English

Lezhë, vodhën dyqanin e një shtetasi, identifikohen dy autorët

Lezhë, 18 tetor, NOA – Vodhën dyqanin e një shtetasi në Rrëshen, por bien në prangat e policisë dy autorët.

Drejtoria e Policisë së Lezhës ka bërë me dije se sot paradite u arrestuan dy autorët e vjedhjes 18 vjeçari Martin Vorfi banor i fshatit Geziq si dhe 18 vjeçari Artemis Nikolli, banues në fshatin Ndërfane të Bashkisë së Rrëshenit në rrethin e Mirditës.

Këta dy persona gjatë orëve të mbrëmjes në qytetin e Rrëshenit kanë vjedhur me thyerje dyqanin e shtetasit me iniciale F.K, një 49 vjeçar që banon në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin vodhën artikuj të ndryshëm në dyqanin e shtetasit në fjalë që ndodhet në tregun e Rrëshenit si dhe vodhën lokalin “Bar Bufe” në pronësi të shtetasit me iniciale F.C, ngjarje e ndodhur me datë 06.10.2010 në qytetin e Rrëshenit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një shumë parash prej 146 mijë lekë të vjetra, të cilat janë vjedhur në dyqanin e shtetasit me iniciale F.K.

mit/NOA
KOMENTE