Shkup, 18 tetor, NOA - Komisioni për lustrimin në Maqedoni, ka paralajmëruar për sot shqyrtimin dhe verifikimin e dosjeve të fundit që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë të BDI-së.
Javën e kaluar, pranë komisionit të Lustrimit u dorëzuan dokumente dhe dosje që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë të BDI-së, në mesin e të cilëve përmenden emrat e ministrit aktual të Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi, deputeti i BDI-së dhe themeluesi i UÇK-së, Fazli Veliu dhe një funksionarë i lartë i BDI-së.
Në këto dokumente, emrat e tyre nëpërmjet shifrave të koduara figurojnë si bashkëpunëtorë të ish-shërbimit sekret UDB-së.
Dosjet lidhur me tre emrat e zyrtarëve të BDI-së u dorëzuan në Komisionin e Lustrimit nga Fadil Lushi, profesor nga Tetova, i cili theksoi se ato i kishte gjetur pranë oborrit të shtëpisë së tij në Tetovë.
BDI akuzoi se pas këtyre dokumenteve qëndron PDSH-ja, e cila synon siç thuhet është lansuar kundër UÇK-së dhe partisë së tyre.
Zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti-Devaja nënvizoi se pret që Komisioni për lustrimin të deklarohet lidhur me materialet e publikuara dhe më pas partia e tyre të ndërmarrë masat e duhura siç thuhet kundër skenarëve dhe personit që dorëzoi materialet.
PDSH vlerësoi se çështja e këtyre dosjeve do të shkojë deri në fund duke u ndriçuar plotësisht.
Zëdhënësi i PDSH-së Adriatik Imeri theksoi dje se grupi udhëheqës i BDI-së ka qenë një rrjet spiunësh serb, që sipas tij, me detyra dhe misione të ndryshme kanë shkaktuar dëme edhe fizikisht edhe psiqikisht të shqiptarëve.
Debati dhe akuzat e njëpasnjëshme lidhur me dosjet kanë shmangur debatet politike lidhur me zhvillimet dhe proceset politike shqiptare në Maqedoni.
NOA-INA