Lezhë, 18 tetor, NOA – Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, duke iu afruar mesnatës, forcat e policisë së Lezhës kanë arrestuar tre persona, të cilët posedonin një automatik pa leje.
Ngjarja e konfirmuar për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e policisë së LEzhës, tregon sesi konkretisht të ndaluarit janë ata me inicialet A.Z, 15 vjeç, E.SH, 17 vjeç dhe Ndue Gjoni, 18-vjeç; që të tre me banim në fshatin Balldre të Lezhës.
Arrestimi i tyre u bë për arsye se këta persona janë kapur në flagrance me një armë automatik në fshatin Balldre duke lëvizur në këmbë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet iu kaluan prokurorisë së Lezhës, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municionit”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal në ngarkim të të riut me iniciale A.Z., si dhe për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal në ngarkim të atyre me emrat Ndue Gjoni dhe E.SH.
n.e/NOA