English

Meta: Me Nanon më lidh nostalgjia dhe e ardhmja

Tiranë, 18 tetor, NOA – “Takimi im me z.Nano ka qenë mëse shoqëror dhe miqësor. Bashkë me z.Nano kemi përvojë të gjatë në jetën politike, por gjithmonë raportet shoqërore janë ruajtur. Edhe për shkak të nostalgjisë që çdo njeri ka edhe për të kaluarën, por edhe për shkak të së ardhmes, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse”.

Kështu e ka komentuar para mediave zv/kryeministri Ilir Meta takimin e tij 7-orësh dje me ish-kryeministrin Fatos Nano, pas një takimi të zhvilluar në Universitetin e Tiranës.

Z.Meta, një ditë më parë keni zhvilluar një takim të gjatë me atë që e cilësoi veten si shoferi juaj. A mund të na zbardhni ndonjë detaj në lidhje me këtë takim me z.Nano?

Pasioni i zotit Nano për t’i dhënë makinës është i njohur dhe jo vetëm kaq. Takimi ka qenë mëse shoqëror dhe miqësor. Bashkë me z.Nano kemi përvojë të gjatë në jetën politike, por gjithmonë raportet shoqërore janë ruajtur. Edhe për shkak të nostalgjisë që çdo njeri ka edhe për të kaluarën, por edhe për shkak të së ardhmes, e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

A keni arritur me z. Nano, duke qenë se thatë se keni patur raporte të mira...

Raportet edhe në shtëpi nuk janë përherë të lumtura. Ka dhe ditë që ka debate, apo jo?

A keni diskutuar në lidhje me heqjen e mandatit të z. Ilir Beqja?

Ne jemi të interesuar për politikat dhe reformat gjithëpërfshirëse, të cilat përshpejtojnë integrimin europian të vendit dhe ftojnë e mirëpresin kontributet e kujtdo politikani apo force politike në këtë proces që është i një rëndësie kombëtare.

Ne nuk bëjmë pakte kundër individëve. Absolutisht. Përkundrazi. Ne jemi të hapur për proceset gjithëpërfshirëse. Për këtë ka nevojë jeta politike në vend dhe kjo është perspektiva e modernizimit dhe emancipimit të politikës shqiptare, jashtë atyre konfrontimeve absurde që nuk i shërbejnë vendit.

Kur thoni që partia juaj është e hapur, do të thotë që edhe z. Nano është i mirëpritur në Lëvizjen Socialiste për Integrim?

Janë disa pyetje që nuk më takojnë mua. Unë mund të përgjigjem për pyetjet që më takojnë mua, sepse unë nuk mund të marr përsipër të flas në emër të kolegëve të tjerë. Por proceset europianizuese të Shqipërisë absolutisht që mirëpresin çdo kontribut dhe çdo vullnet pozitiv.

Si do të realizohen votat e nevojshme për të miratuar ligjet?

Jam i bindur se perspektiva është europianizuese edhe për politikën shqiptare, dhe jo ballkanizuese në kuptimin e konflikteve të së kaluarës.

Mos ndoshta z.Nano do të jetë supriza si kandidaturë e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Bashkinë e Tiranës?

Ju nuk arrini të kuptoni thellësinë e batutave të z.Nano.

NOA

KOMENTE