English

PDR: Mbi 60% e popullatës shqiptare në Dibër, nuk do mund të regjistrohen

Dibër, 18 tetor, NOA - Kryetari i Këshillit Komunal të Demokracisë së Re në Dibër, Bajram Çapa, përmes një konference për shtyp, shprehu brengosjet e mëdha të kësaj force politike për regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Sipas tij, propozim-ligji për regjistrimin e popullsisë është diskriminues për shqiptarët dhe nuk ka asgjë të përbashkët me të dhënat statistikore, por thjesht ka karakter politik dhe ekonomik në dëm të shqiptareve.

“Me propozim-ligjin aktual për regjistrimin e popullsisë, sipas të dhënave të cilat i ka mbledhur Demokracia e Re, në nivel të Maqedonisë 1/3 e shqiptarëve do të mbesin pa u regjistruar, ndërsa në nivel të qytetit të Dibrës këtë fat do ta pësojnë mbi 60% e popullatës shqiptare. Në Komunën e Zhupës 65.3% e shqiptarëve aktualisht gjenden në mërgim. Sipas të dhënave të Demokracisë së Re, 1380 shtëpi shqiptare në komunën e Dibrës janë të boshatisura, ndërsa mbi 3000 familje shqiptare janë në mërgim”, citon deklarata e DR-së.

Më tej, Çapa informoi edhe një herë për kërkesat e Demokracisë së Re për çështjen e regjistrimit të cilat kanë për qëllim procesi i regjistrimit të jetë transparent, objektiv dhe mbi të gjitha real për shqiptarët.

“Duke u nisur nga kjo situatë alarmante, Demokracia e Re kërkon përveç tjerash këto ndryshime të këtij propozim-ligji: regjistrimi i popullsisë të bëhet gjatë muajit korrik kur shumica e mërgimtarëve kthehen në vendlindje, të zgjat 1 muaj dhe jo 15 ditë, të mos ketë përkufizime të kohëzgjatjes së qëndrimit të mërgimtarëve jashtë vendit deri më 12 muaj si kusht për tu regjistruar, por të regjistrohen të gjithë, çdo komunë të ketë qendër të veçantë për regjistrim, dhe jo qendra rajonale siç propozon qeveria, përfaqësimi etnik në Entin shtetëror për statistikë të jetë në përputhje me marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën deri në fillimin e procesit të regjistrimit etj”, ka thënë Çapa.

n.e/NOA

KOMENTE