Përcaktohet delegacioni kuqezi për në evenimentin kontinental të Qipros. Komiteti Ekzekutiv: Kërkesa për Asamble të Jashtëzakonshme, një falsifikim, përgjegjësit të japin shpjegime.
Tiranë, 18 tetor, NOA /Altin Kodra - Shqipëria do të marrë pjesë me dy sportistë meshkuj në Kampionatin Evropian të 23-vjeçarëve, që do të zhvillohet në Limasol të Qipros, nga data 18, deri më 28 nëntor 2010. Një gjë e tillë është bërë e ditur të hënën nga Federatat Shqiptare e Peshëngritjes, e cila ka sqaruar se pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të saj, është vendosur në evenimentin kontinental, Shqipëria e shtangës do të përfaqësohet nga Daniel Godelli dhe Briken Calja.
Të dy këta sportistë do të konkurrojnë në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg dhe do të shoqërohen nga trajneri Genc Barkiçi.
Delegacioni kuqezi në Qipro do të drejtohet nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, ndërsa pjesë e tij do të jetë edhe specialisti Përparim Ferunaj, i cili do të shërbejë si gjyqtar në këtë veprimtari. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të FSHP-së, Ilir Kraja, vetë ecuria e këtyre dy sportistëve sugjeron pretendimet për një vend në podium në këtë Evropian.
Ndërkaq, në mbledhjen e tij të së hënës, Komiteti Ekzekutiv i FSHP-së ka marrë në shqyrtim edhe një kërkesë të paraqitur nga pesë klube anëtare për zhvillimin e një Asambleje të Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Kjo kërkesë, është dorëzuar në mjediset e kësaj Federate dhe është protokolluar më 1 tetor 2010 dhe është e firmosur dhe vulosur nga Klubi Shumë-sportësh “Skënderbeu”, Klubi i Peshëngritjes “Shtërmeni” - Elbasan, Klubi i Peshëngritjes “Shkumbini”, Klubi Shumë-sportësh “Flamurtari” dhe Klubi Sportiv “Tirana”.
Sipas procesverbalit të zbardhur të mbledhjes të Komitetit Ekzekutiv të FSHP-së, “si dorëzues i letrës për Asamble të Jashtëzakonshme, Z. Zef Kovaçi u thirr në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv dhe pyetjeve të anëtarëve, ai u përgjigj: “Unë nuk jam anëtar i Asamblesë dhe po ashtu deklaroj se kërkesën për Asamble të Jashtëzakonshme ma ka dhënë Theollori Masllavica (ish-kandidat për President të FSHP-së), vetëm për ta dorëzuar në Federatë. Unë kam bëre vetëm percjelljen e letres dhe më keni thirrur kot këtu, sepse unë s’kam asnjë rol në këtë mes”.
Përveç kësaj, Komiteti Ekzekutiv verifikoi se firma dhe vula që figurojnë në kërkesën për Asamble të Jashtëzakonshme për Klubin Shumë-sportësh “Skënderbeu”, Klubin e Peshëngritjes “Shkumbini” dhe Klubin Shumë-sportësh “Flamurtari”, janë të falsifikuara. Ky fakt mbështetet nga një letër zyrtare e firmosur nga Sekretarja Ekzekutive e Klubi Shumë-sportësh “Skënderbeu”, Tatjana Marash, e cila ka riktheksuar me anë të një shkrese të datës 4 tetor 2010 se mbështet drejtuesit aktualë të FSHP-së dhe se nuk ka autorizuar asnjë kërkesë nga organizmi që drejton për Asamble të Jashtëzakonshme.
Po kështu, Klubi i Peshëngritjes “Shkumbini”, me anë të trajnerit Ali Lundraxhiu, ka mohuar dërgimin e një kërkese të tillë, ashtu sikundër ka bërë edhe Klubi Shumës-portësh “Flamurtari”, që me anë të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHP-së, Cenaj, ka sqaruar se shkresa e dërguar gjoja në emër të klubit vlonjat, është firmosur nga një ish-zyrtar i larguar nga detyra disa muaj para datës që mban kërkesa. Si rrjedhojë, kërkesa për Asamble të Jashtëzakonshme hidhet poshtë si dokument i falsifikuar.
Ndërkaq, në mbledhjen e tij të së hënës, Komiteti Ekzekutiv i FSHP-së ka vendosur që sportistëve Shqiponja Brahja (Guhacaj) dhe Erkand Qerimajt t’u jepet mundësia që të dëgjohen nga Komiteti Ekzekutiv për deklarimet dhe veprimet e tyre. Ndërsa Genc Barkiçi, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të FSHP-së, mbetet trajner i Ekipit Kombëtar me pagesë 30,000 lekë/muaj për periudhën Shtator-Dhjetor 2010.
a.k/n.e/NOA