English

PS: Importi i plehrave, projekt kriminal i qeverisë me pasoja të rrezikshme

Tiranë, 18 tetor, NOA – Selia rozë ka akuzuar rishtas sot qeverinë se me vendimin e saj për të importuar plehra për përpunim në vendin tonë do të sjellë pasoja të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin nga mbetjet toksike.

Në një konferencë për shtyp deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj deklaroi se mungesa e kapaciteteve monitoruese, e shndërron Shqipërinë në një destinacion të mbetjeve të rrezikshme e toksike, me pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Sa ishte në opozitë Sali Berisha ishte kundër TEC-eve, fabrikave të çimentos, por mbi të gjitha, siç e mbajnë mend shumë mirë shqiptarët, Sali Berisha ishte kundër importimit të mbetjeve e plehrave për qëllime përdorimi, riciklimi apo përpunimi. Sot, Sali Berisha në pushtet është shndërruar në një promotor të kthimit të Shqipërisë në një pikë grumbullimi për plehërat e botës”, theksoi deputeti Baraj.

Për deputetin Baraj, ky vendim do të thotë që në Shqipëri nuk do të ketë kurrë një palë të interesuar për menaxhimin e mbetjeve urbane që prodhohen në vend, andaj deputeti socialist i bëri thirrje qeverisë që “përpara se të mendojë për plehërat e botës, qeveria Berisha bën mirë të zgjidhë problemin e plehërave tona, që janë kthyer në turpin e këtij vendi”. Sipas deputetit socialist, situata bëhet akoma më shqetësuese, pasi biznesi i menaxhimit të mbetjeve është shpesh një burim i madh fitimi për qarqe mafioze, e sipas Baraj, në kushtet kur lidhjet e pjesëtarëve të oborrit kryeministror me qarqe mafioze tashmë janë bërë publike, shqiptarët kanë të drejtë të shqetësohen dhe të kërkojnë llogari për interesat e vërteta që fshihen pas këtij vendimi.

Partia Socialiste akuzon qeverinë edhe për mungesën totale të transparencës në marrjen e kësaj iniciative ligjore, çka bie ndesh me konventën e Ahrusit, e cila është adaptuar në legjislacionin Shqiptar dhe që parasheh konsultimin me publikun dhe aktorët e ndjeshëm të shoqërisë civile si dhe pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje.

Në këtë kontekst Partia Socialiste denoncon këtë projekt kriminal të qeverisë Berisha, dhe zotohet që anulimi i tij do të jetë veprimi i parë që qeveria socialiste do të ndërmarrë pas ardhjes në pushtet.

mit/NOA
KOMENTE