English

Rama, Berishës: Ulemi në tryezë, por më parë transparencë

Tiranë, 18 tetor, NOA – “Zgjedhjet në Shqipëri nuk u deformuan nga mungesa e një ligji të mirë zgjedhor, por nga shkelja e rëndë e ligjit zgjedhor”.

Kjo ishte përgjigjia që lideri i opozitës, Edi Rama i ktheu kryeministrit Berisha tri orë pas ftesës që ky i fundit i bëri për të marrë pjesë në tryezën e partive politike dhe për të mos u bërë pengesë për nisjen e punës për reformën zgjedhore, e thirrur nga shefi i qeverisë të premten në orën 11.00.

“Kryeministri ribëri sot thirrjen për të filluar punën për një reformë të re të Ligjit Zgjedhor pa u bërë transparenca e zbatimit të ligjit gjatë zgjedhjeve të shkuara. Pra kryeministri kërkon që ne të rifillojmë bashkëpunimin për ta bërë edhe më të mirë ligjin në letër. Sigurisht që në realitetin e një demokracie funksionale kjo do të ishte e natyrshme. Por dihet botërisht se ne jemi në një realitet krejt tjetër”, tha shefi i selisë rozë.

Sipas tij në kushtet kur, prej më shumë se një viti, Sali Berisha nuk ka asnjë vullnet për të bërë transparencën e të gjitha shkeljeve të rënda të ligjit zgjedhor përmes hetimit parlamentar, është fare e qartë se problemi i standardeve demokratike në Shqipëri, në të gjitha fushat, nuk vjen nga mungesa e ligjeve por nga moszbatimi i ligjeve, për të cilat sipas Ramës fajin e ka Sali Berisha.

Shefi i opozitës në reagimin e tij nga selia rozë deklaroi se “zgjedhjet nuk u vodhën si pasojë e mungesës së ligjit, por si pasojë e moszbatimit të ligjit.

Ai konfirmoi sakaq se Partia Socialiste do të bëhet pjesë e reformës vetëm kur të jetë bërë transparenca e zgjedhjeve.

“Shqipërisë nuk i duhet një tjetër Kod Zgjedhor i shkelur me të dyja këmbët nga pushteti si në zgjedhjet e shkuara, po i duhet garancia se në zgjedhjet e ardhshme Kodi Zgjedhor nuk do të shkelet. Këtë garanci nuk e jep një tjetër ligj në letër, por vetëm transparenca e kutive ku fshihen gjurmët e vjedhjes së kryer në 28 qershor”, nënvizoi Rama.

Ai garantoi se “ne jemi gati të ulemi për ta përmirësuar edhe ligjin ekzistues të zgjedhjeve kur Sali Berisha të jetë gati të hapë rrugën e kësaj transparence. Përndryshe faji i mbetet atij që e ka, Sali Berishës”.

Kryesocialisti Rama bëri me dije se “socialistët dhanë konsensus për Kodin Zgjedhor me një vullnet që asnjëherë më parë opozitat e këtij vendi nuk e kishin shfaqur. Dhamë besimin tonë për hir të nevojës jetike të vendit që të mbyllej kapitulli i konfliktit politik, duke i vënë kapak njëherë e mirë zgjedhjeve të vjedhura, të deformuara e të kontestuara, dhe duke hapur një epokë të re të bashkëjetesës pluraliste në këtë vend, besim të cilin Sali Berisha e shpërdoroi duke vjedhur zgjedhjet, mbyllur kutitë e krimit elektoral dhe plaçkitur Shqipërinë ditë për ditë, bashkë me Ilir Metën”, deklaroi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

NOA
KOMENTE