Tiranë, 18 tetor, NOA – Euro-skepticizmi duket një dukuri që nuk ka lidhje me shqiptarët, pasi tek ta, me kalimin e viteve mbetet e madhe dëshira për integrimin me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Kështu citon studimi i paraqitur sot nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare me titullin "Perspektiva Evropiane e Shqipërisë: Perceptime dhe realitete 2010", i cili mbështetet në sondazhin e kryer në qendrat kryesore urbane të Shqipërisë, midis majit dhe qershorit 2010, me një model me 1200 të anketuar, ku në një shkallë të madhe, rezultatet e studimit janë të ngjashme me ato të viteve të shkuara, për sa i përket niveli të mbështetjes dhe arsyeve për mbështetjen e integrimit evropian të vendit.
Ndoshta surpriza më e madhe nga të gjitha është pikërisht fakti që rezultatet janë të ngjashme, megjithëse sondazhi u krye në mjedisin e një ngërçi politik që shoqëroi përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë.
Sondazhi tregon, gjithashtu, se shumica e të anketuarve i kanë lënë thjesht mënjanë këto paralajmërime, duke shprehur nivele shumë të larta optimizmi e deri diku absurde, për të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë.
Sipas sondazhit, 37% e shqiptarëve, vazhdojnë ta barazojnë anëtarësimin në BE me lëvizjen e lirë.
Niveli jashtëzakonisht i lartë i mbështetjes në studimin e vitit 2010 tregon se mundësia që shqiptarët ta vështrojnë me skepticizëm integrimin në BE, të paktën tani për tani, pothuajse nuk ekziston.
Shifra prej 72.6%, e atyre që e mendojnë integrimin shumë të rëndësishëm, përsëri është një shifër gjithsesi shumë e lartë, por në kontekstin shqiptar ajo mund të konsiderohet shumë mirë edhe si një lajmëtar i fazave të ardhshme më shumë se sa të një euro-skepticizmi të mundshëm, të fillimit të lulëzimit, qoftë edhe në embrion, të një qëndrimi dhe mendimi kritik rreth fenomeneve, tipar thelbësor ky i një shoqërie moderne.
Gjatë këtyre viteve, sondazhet dhe studimet kanë treguar se midis shqiptarëve ekziston një mbështetje e madhe, gati unanime, për integrimin e vendit të tyre në BE. Në të vërtetë, niveli i mbështetjes rri vazhdimisht në 90-95%, me nivele të mbështetjes prej 88% në favor të integrimit, që konsiderohet edhe si pika më e lartë e euro-skepticizmit. Kjo është një situatë që nuk gjen paralele në asnjë nga vendet e tjera anëtare të BE-së apo që synojnë të hyjnë në BE.
Nivelet e kundërshtimit të integrimit në BE janë aq të ulët sa mund të futen fare mirë brenda kufirit të gabimit të sondazheve.
Ndërsa kjo situatë tregon fare mirë angazhimin e shqiptarëve për BE-në, ajo nuk përbën ndonjë situatë ideale.
n.e/NOA