Tiranë, 18 tetor, NOA – “Shërbimi spitalor në Shqipëri e ka kaluar fazën e tij të emergjencës, dhe nuk mund të funksionojë më duke patur infermierë, të cilët nuk dinë të komunikojnë, të respektojnë pacientin, apo që nuk njohin institucionin e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë”.
Kështu ka deklaruar në një konferencë për Urdhrin e Infermierit, Drejtori për Shëndetin në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero në një konferencë të mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Piperos “Ministria e Shëndetësisë nuk mund të lejojë, që bluzat e bardha të dalin nga pavioni në pavion, duke përbërë kështu një rrezik për transmetimin e sëmundjeve të ndryshme, apo me bluza të bardha të dalin nga spitali e të bëjnë pazar”.
Kjo konferencë për Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë u zhvillua për informimin e publikut, por edhe të profesionistëve të kujdesit infermieror, për masat e marra për rritjen e cilësisë së kujdesit infermieror dhe për ndryshimin rrënjësor të sjelljeve etiko-profesionale të këtyre profesioneve në zbatim të Kodit Etik-Deontologjik të UISH.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë konferencë, presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi, vuri në dukje faktin se nga informacionet dhe inspektimet e deritanishme vërehet se në shumë institucione punojnë profesionistë të paliçencuar në kundërshtim me ligjin e UISH, sjelljet etiko-profesionale lënë për të dëshiruar, nisur që nga paraqitja e jashtme, komunikimi me pacientët, qëndrimi në krye të shërbimit, lëvizjet me uniformë jashtë ambienteve të shërbimit.
Skënderi ngriti shqetësimin edhe për organizimin jo të mirë të shërbimit nga drejtuesit në turnin e dytë dhe të tretë, braktisjen e shërbimit gjithë ditën dhe për ditë të tëra në disa shkolla apo fshatra, duke shkuar vetëm një herë në muaj, moszbatimin me korrektësi dhe në orarin e duhur të injeksioneve të pacientëve nëpër fshatra, etj.
Sipas tij, të gjitha këto përbëjnë shkelje të rënda të Kodit Etik-Deontologjik, i cili parashikon dënimet përkatëse që fillojnë nga gjoba, ulja në detyrë e deri në heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit.
“Për të gjitha këto, Ministri i Shëndetësisë ka nxjerrë Urdhrat përkatës për zbatimin me korrektesë të ligjit për UISH si dhe Urdhrin për ngritjen e Task Forcës për kujdesjet infermierore, e cila do të organizojë inspektimet e domosdoshme në të gjitha institucionet publike dhe private dhe do të paraqesë raportet për vlerësimin e situatës me të gjitha masat e marra për përmirësimin sa më shpejt të situatës”, bëri me dije Skënderi.
Ai u bëri thirrje të gjithë profesionistëve të kujdesit infermieror të reagojnë sa më shpejt në përmirësimin e sjelljeve etiko-profesionale si dhe të cilësisë së shërbimit ndaj pacientit në zbatim të Ligjit, të Urdhrave të Ministrit dhe të Kodit Etik-Deontologjik.
“T’i referohen Dokumentit Themeltar që ka në përmbajtjen e tij gjithë informacionin duhur dhe që tashmë me mbështetjen e USAID, u bë i mundur që çdo profesionist në Republikën e Shqipërisë ta ketë atë me vete në formën e librit të xhepit:, tha presidenti i Urdhrit të Infermierit.
“Ne i bëjmë thirrje gjithë pacientëve dhe familjarëve të tyre të japin kontributin e tyre në përmirësimin e kujdeseve infermierore duke rritur kërkesën për cilësinë e shërbimit dhe të mos pranojnë përkujdesje nga persona të papajisur me kartën e identitetit profesional të lëshuar nga UISH, duke deklaruar pranë Urdhrit të Infermierit çdo rast të mungesës së këtij shërbimi apo të sjelljeve jo të mira etiko-profesionale të këtyre profesionistëve”, tha zoti Skënderi.
mit/NOA