English

Berisha-Vollfarth: Tryeza e partive për kodin në kohën e duhur, opozita të pranojë

Tiranë, 19 Tetor, NOA – Duke qenë se oferta e paprecedent e mazhorancës bërë Partisë Socialiste në muajin shtator vazhdon të refuzohet nga kreu i PS-së, procesi i reformës zgjedhore duhet të ecë përpara në interesin më të mirë të vendit dhe për këtë arsye mazhoranca do të promovojë nisjen e saj në një format sa më përfshirës.

Kështu i ka deklaruar kryeministri Berisha ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth, gjatë një takimi të përbashkët, lidhur me propozimet e bëra prej tij për fillimin e reformës zgjedhore.

Berisha e njohu ambasadorin Vollfarth me ftesën që i ka bërë partive parlamentare për tu mbledhur në një tryezë të rrumbullakët ditën e premte dhe theksoi se për këtë eveniment është përzgjedhur Kuvendi, si forumi i demokracisë, i bazuar në vullnetin e popullit. Ndër të tjera, kryeministri u shpreh i hapur edhe për kontributin që mund të japin partitë e tjera, si dhe organizatat e specializuara të shoqërisë civile.

Nga ana e tij, ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vollfarth e përgëzoi kryeministrin për këtë nismë duke e cilësuar atë si të shkëlqyer, që garanton përfshirje të aktorëve të interesuar e që vjen në momentin e duhur për shkak se përgatitjet zgjedhore të bëra në kohë, kanë një rëndësi themelore për zgjedhjet e ardhshme.

Duke vlerësuar që kodi zgjedhor është një kornizë mjaft e mirë për zgjedhje demokratike, ambasadori vlerësoi synimin e reformës së ardhshme për përmirësimin e mëtejshëm dhe jo ndryshime drastike të kuadrit ligjor.

Më tej, ai tha se përfshirja e shoqërisë civile dhe e partive të tjera politike do të sjellë transparencë dhe përfshirje për të gjithë aktorët e interesuar.

Ndërkaq, ambasadori Vollfarth e pranoi ftesën e kryeministrit Berisha që Prezenca e OSBE-së të jetë pjesë e këtij procesi, si dhe shprehu gatishmërinë për të dhënë ekspertizën gjithashtu, angazhim i cili u mirëprit nga kryeministri.

n.e/NOA

KOMENTE