English

Enver Hoxhaj: Nevojitet qartësi e shpejtë politike në Kosovë

Prishtinë, 19 tetor, NOA – Ministri kosovar i Arsimit, njëkohësisht sekretar për marrëdhënie me publikun i PDK-së, Enver Hoxhaj, i tha BBC-së se Kosova ka nevojë për një qartësi të shpejtë politike e cila sipas tij mund të krijohet vetëm pas organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve.

Ai tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk mund të konfirmohen vetëm nga një parti politike por duhet një konsensus i plotë në shoqërinë kosovare.

Hoxhaj tha se krizë institucionale dhe boshllëku institucional në Kosovë ka nevojë të “mbushet” me fuqi politike të nevojshme që, sipas tij, vendi të përballet me sfidat e reja.

Në një bisedë me BBC-në, ai tha se faktori ndërkombëtar ka një agjendë të përcaktuar, veçanërisht rreth dialogut me Serbinë dhe kjo, sipas tij, kërkon që vendi ta ketë një qartësi politike në rrafshin qeverisës dhe institucional.

Cili është qëndrimi i PDK-së pas daljes së LDK-së nga koalicioni qeverisës.Qëndrimi ynë, nga e shtuna e javës së kaluar e deri sot, është i njëjtë se PDK-ja do të bëjë përpjekje brenda kornizës së paragrafeve të caktuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ta gjej një zgjidhje që është edhe kushtetuese edhe politike dhe e cila realisht si formulë do të mundësojë që procesi politik në Kosovë të marrë formë të re.

Mirëpo në asnjë mënyrë puna në institucionet e Kosovës nuk do të ndërpritet dhe ne do të vazhdojmë të punojmë më tutje.

Më thoni se cila është kjo zgjidhje kushtetuese që po e kërkoni ju: është kjo qeveria teknike, vazhdimi i punës deri në 13 shkurt sipas kalendarit zgjedhor apo zgjedhje të jashtëzakonshme deri në fund të këtij viti?

Qëndrimi ynë është i prerë në asnjë formë dhe asnjëherë nuk do të ketë qeveri teknike.

E kemi thënë dhe e përsërisim disa herë që kjo nuk do të ndodhë.

Përderisa, mendoj unë, se presidenti në detyrë dhe kryeministri në bazë të përgjegjësive të tyre duhet që gjatë ditëve të ardhshme të dalin së bashku me faktorët e tjerë relevantë politikë, me miqtë tanë ndërkombëtarë, me një formulë e cila do ta nxjerrë vendin nga kriza institucionale në të cilën është hyrë.

Kjo nuk ka ndodhur me fajin dhe përgjegjësinë tonë por është krijuar nga partneri ynë i koalicionit.

Ndërsa qëndrimi ynë si Parti Demokratike me program shtetformues dhe zhvillues është që ne ta vazhdojmë punën dhe në të njëjtën kohë të ofrojmë zgjidhje sa më të shpejta që besoj se do të komunikohen gjatë këtyre ditëve.

Në bazë të asaj që thoni fajtor për tërë këtë krizë është partneri juaj i deritashëm LDK. Por ata thonë se ju i keni injoruar në veçanti në këto javët e fundit që prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Mendoj se ne si PDK nuk jemi të interesuar që të lëshohemi në përdorimin e një gjuhe agresive.

Më se paku kanë nevojë qytetarët e Kosovës, që tani, të kenë një inflacion të gjuhës agresive në jetën tonë politike.

Qëllimi ynë është të tregojmë maturi politike, pjekuri politike dhe në përputhje me situatën politike në të cilën gjendemi të ofrojmë zgjidhje sa më të shpejta.

Mirëpo, ne në asnjë formë nuk do të pengojmë jetën institucionale në Republikën e Kosovës dhe do të ofrojmë zgjidhje që janë edhe politike edhe kushtetuese gjatë ditëve në vijim, meqë kjo nuk është një situatë që varet vetëm nga një parti politike por nga i gjithë spektri politik se si të ecet përpara.

Keni patur ndonjë takim apo bisedë me ndonjë nga forcat e tjera politike në vend për të përfunduar proceset e filluara deri në zgjedhje?

Kjo është, mbi të gjitha, përgjegjësi e presidentit në detyrë i cili do të duhej të komunikonte me të gjitha forcat politike në Republikën e Kosovës dhe të ofrojë zgjidhje. Çdo sugjerim apo vendim që do të merret nga presidenti nga ne si PDK do ta ketë mbështetjen e plotë.

Zoti ministër do të insistoja nëse do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë?

Kjo nuk është diçka që mund të konfirmohet vetëm nga një parti politike, meqë rreth caktimit të kohës së mbajtjes së zgjedhjeve duhet një konsensus i plotë në shoqëri. Kjo është një pyetje të cilës më së miri presidenti në detyrë mund t’i përgjigjet.

Por presidenti në detyrë i ka thënë BBC-së se vendi, sipas rrjedhave të tashme, po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por sipas jush do të mbetet data 13 shkurt e vitit të ardhshëm datë e saktë për zgjedhje në Kosovë?

Ne mendojmë se kjo krizë institucionale që është krijuar në Kosovë, ky boshllëk institucional që është evident në Republikën e Kosovës ka nevojë të mbushet me fuqi politike të nevojshme, me qëllim që vendi të përballet me sfidat e reja të cilat e presin.

Kuptohet se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë shumë kërkesa në baza ditore dhe ne do të bëjmë përpjekje që të reagojmë karshi këtyre kërkesa dhe t’i përfaqësojmë interesat e tyre.

Edhe faktori ndërkombëtar ka një agjendë, sidomos çështja e dialogut me Serbinë që është agjendë edhe e SHBA-së dhe BE-së.

Prandaj e tërë kjo punë që na pret kërkon që realisht vendi ta ketë një qartësi politike në rrafshin qeverisës dhe institucional të cilin për momentin nuk e ka.

Për fund zoti ministër. Me sa e kuptoj ju si PDK po kërkoni që sa më shpejtë të krijohen kushtet për vazhdimin e proceseve politike në Kosovë?

Patjetër që duhet sa më shpejtë të ketë qartësi të nevojshme politike ndërsa qartësia politike në këtë vend krijohet vetëm pas organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve.

Ne në asnjë formë nuk mbështesim zgjidhjet provizore, javore ose mujore, teknike të cilat nuk do të kishin as legjitimitet as mbështetje politike.

BBC

KOMENTE