Tiranë, 19 Tetor, NOA - Në përkujtim të 80-vjetorit të daljes së Dekretit Mbretëror që themeloi Federatën Shqiptare të Sporteve, nga a cila buron dhe Federata Shqiptare e Futbollit, vizitoi sot Shqipërinë vetë presidenti i UEFA-s, Michel Platini.
Duke qenë pjesë e FIFA-s që në vitin 1932, Shqipëria është ndër vendet anëtare më të vjetra të këtij organizmi të rëndësishëm siç u bë më pas ndër vendet themeluese të UEFA-s.
Gjatë takimit të tij me ministrin e Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, Platini nuk la pa përmendur ndryshimin e legjislacionit nga ku e mbështesin gjithmonë FSHF, por pa u përzierë në çështjet që i takojnë Shqipërisë.
Ai cilësoi se UEFA është gjithmonë e gatshme të ndihmojë FSHF-në dhe ministrinë e Sporteve për të gjetur të gjithë elementët e mundshëm ku mund të ofrojnë mbështetje.
“Gjërat duken mirë, - tha ai, - dhe besoj se po shkojnë mirë. Gjithmonë kam pasur mbështetjen e Shqipërisë në politikat evropiane”.
Ndërsa Xhaferraj nga ana e tij, vuri në dukje vizitën e Michel Platini për të dytën herë në Shqipëri brenda tre viteve dhe u shpreh se Platini ndodhej në Shqipëri në një ditë të veçantë e të shenjtë siç është Lumturimi i Nënë Terezës.
“Si ministër i TKRS, - tha ai, - shpreh gëzimin dhe mirënjohjen për dimensionin që Platini i ka dhënë UEFA-s në të gjitha drejtimet. Fakti që në tre vite vini dy herë në Shqipëri tregon që UEFA është një monopol i vlerave të humanizmit dhe sjelljes së popujve e kulturave më afër njëra-tjetrës”.
Në fund, ministri Xhaferraj u shpreh se që nga dita e tij në detyrë i gjithë stafi i sportit në MTKRS dhe vetë ai ka angazhimin që të përcjellë mesazhin që ministria nuk është për të kontrolluar apo ndërhyrë, por vetëm për të lehtësuar procedurat e Federatave Sportive në vend.
“Gjithmonë i qëndrojmë mendimit, - cilësoi ai, - që financimi është i rëndësishëm për zhvillimin e sportit por nuk janë gjithçka”.
n.e/NOA