English

Presidenti Topi: Reagim pa mëshirë ndaj atyre që vrasin policë në krye të detyrës!

Tiranë, 19 tetor, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar sot një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit Roland Likaj, efektivit të policisë së Vlorës, i cili ra dje në krye të detyrës.

“Më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të të dashurit tuaj, i rënë në krye të detyrës ndërsa kryente misionin fisnik të mbrojtjes dhe sigurisë së rendit të qytetarëve shqiptarë!”, shkruan kreu i shtetit në mesazhin e tij.

Duke shtuar se “rënia në krye të detyrës e punonjësit të policisë është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, për kolegët, për shtetin dhe gjithë qytetarët e Shqipërisë, që mbështesin pa rezerva forcat e rendit në misionin e tyre të përditshëm, sa të vështirë, aq edhe heroik në mbrojtje të rendit e sigurisë së të gjithëve”.

“Me cilësinë e Presidentit të Republikës, por edhe si qytetar i tronditur nga ky krim makabër, u bëj thirrje dhe nxis të gjitha strukturat shtetërore që të zbulojnë sa më parë autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe ta vënë atë përpara drejtësisë! Reagimi i shpejtë dhe i pamëshirshëm ndaj këtij krimi të pashembullt është përgjigja e duhur që i jepet kujtdo që guxon të cënojë një punonjës policie në krye të detyrës!”, shtoi më tej ai.

Duke përfunduar se të gjithë qytetarët dhe shteti shqiptar ndihen krenarë por edhe thellësisht mirënjohës për Rolandin, që u flijua me vetëmohim teksa kryente detyrën e tij fisnike dhe ndajnë me ju solidaritetin për këtë humbje të madhe!

n.e/NOA

KOMENTE