English

Rama: “Udha e Paqes” simbolizon gjithçka të mirë të veprës së Nënë Terezës

Tiranë, 19 tetor, NOA – Në kremtimin e shtatë vjetorit të lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali i Dytë në 19 tetor të 2003-it krerët e shtetit shqiptar marshuan bashkë në “Udhën e Paqes”, në Parkun e Liqenit Artificial, një rrugë prej 3 kilometrash ku janë vendosur pllaka me emrat e presidentëve që kanë kontribuar për paqen.

Kryebashkiaku Edi Rama, duke vlerësuar rëndësinë dhe simbolikën e këtij projekti, në nder të bamirëses së madhe Nënë Tereza, u shpreh se “Është një “Udhë e Paqes” që simbolizon gjithçka të mirë, që ka të bëjë me veprën e gjallë të Nënë Terezës dhe njëkohësisht bashkon përgjatë 2.7 kilometrave të saj, emra njerëzish nga mbarë bota”.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Rama tha se “do të doja që për një çast, që edhe në respekt të mesazhit, që ka kjo vepër ku bashkohen njerëz të njohur dhe më pak të njohur, të kujtoja një zonjë, e cila ishte me ne, ditën kur ky projekt u lançua, në ambientet e Presidencës, dhe që sot nuk është. Do të doja të kujtoja Meritën, promotoren e palodhur të këtij projekti dhe besoj se është në shpirtin e kësaj vepre, që pikërisht gjithë këta njerëz të njohur e të nderuar, që janë këtu të pranishëm, të mbajnë 1 minutë heshtje për këtë njeri të panjohur për shumëkënd, por të dedikuar në promovimin e mesazhit të Nënë Terezës”, theksoi kryebashkiaku, duke kujtuar emrin e projektueses merita Profka.

“Emri i Meritës, pa dyshim do të shënohet në këtë Udhë të Paqes, përkrah emrave të shumë krerëve të shteteve, që e kanë nisur tashmë pllakën e tyre, të tjerëve që do ta nisin atë, përkrah emrave të yjeve të sportit botëror e atij shqiptar, përkrah emrave të artit e letrave në botë e në vendin tonë apo përkrah emrave më pak të njohur që e bartin me shembullin e tyre në komunitet, mesazhin e kësaj udhe, mesazhin e veprës së gjallë të Nënë Terezës”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Projekti “Udha e Paqes”, iniciuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Qendrën “Rruga e Paqes” nën kujdesin e Presidentit të Republikës synon realizimin e një rruge pelegrinazhi, si shprehje e kontributit dhe respektit për Nënë Terezën.

Në udhën e paqes do të vendosen një sërë pllakash me emra personalitetesh të shquara botërore, midis tyre Presidentë apo dhe Përfaqësues të Qendrës së Paqes në botë, të nominuar me titullin e Pelegrinit të Paqes dhe Kavalierë të Paqes, të cilët kanë nderuar veprën e shenjtores dhe për nder të saj do të vendosin një pllakë, në kujtim të Nënë Terezës.

Ceremonia e përrurimit të “Udhës së Paqes” vlejti edhe për një shtrëngim duarsh mes krerëve të politikës.

mit/NOA
KOMENTE