Tiranë, 19 tetor, NOA – Në shtatëvjetorin e lumturimit të Nënë Terezës, Presidenti i Republikës Bamir Topi pasi vendosi pllakën e parë që mban emrin e tij në “Rrugën e Mijëvjeçarit për Paqen”, e cilësoi këtë akt si konkretizimin simbolik të filozofisë së Nënë Terezës, që me dashuri, humanizmin dhe besimin e saj në Zot përgjatë gjithë jetës ngriti një rrugë të paqme, që shërbeu si bazë për themelet e qytetërimit tonë dhe dëshirën konstante e popujve.
“Sot është një ditë e veçantë për mbarë kombin tonë! Shtatë vjet më parë njëri prej personaliteteve më në pah të historisë moderne, Papa Gjon Pali i Dytë, do të hapte portat e një tjetër bote duke shpallur të Lume gruan më të respektuar të planetit, bijën e popullit shqiptar, Nënë Terezën”, u shpreh presidenti i Republikës në fjalën e tij përshëndetëse pas inaugurimit të rrugës së paqes.
Kryetari i shtetit theksoi se 19 tetori 2003, data e lumturimit të Nënë Terezës është apogje për historinë e vjetër dhe të re të shqiptarëve, duke nënvizuar se nëpërmjet këtij akti të shenjtë, shqiptarët përjetësisht me krenari mund ta quajnë veten kontribuues të mëdhenj të besimit, humanizmit e paqes.
“Nënë Tereza nuk mund të ndahet nga populli i saj, e falë kësaj simbioze, historia e botës dhe ajo e shqiptarëve, bashkohen në magjepsjen e vlerave hyjnore”, nënvizoi Presidenti Topi.
Në vijim, pasi përkujtoi me nderim dhe mirënjohje kujtimin e të ndjerës Merita Agalliu (Profka), ish-drejtueses së Qendrës “Rruga e Paqes ‘Shqipëri-Kosovë-Maqedoni’”, duke iu referuar modelit të Nënë Terezës në mësimin, transmetimin, predikimin dhe ruajtjen e konsolidimin e paqes, Presidenti Topi vuri në dukje që “ne bijve, vëllezërve dhe motrave të një gjaku me Nënë Terezën kemi jo vetëm nevojë, por edhe detyrë morale ta ndiejmë më thellë zërin e saj, doktrinën e saj në shërbim të humanizmit, paqes, mirësisë e progresit shoqëror”.
Presidenti i Republikës tha ndërkaq se tema e paqes përbën një vlerë themelore për Evropën dhe qytetërimin e saj.
“Ideja e Evropës së Bashkuar, lindi pikërisht nga dëshira për paqe ndërmjet popujve. Në këtë kontekst, sot Shqipëria është një faktor paqeje e stabiliteti në rajon dhe nxit fuqishëm të gjitha perspektivat bashkëpunuese e integruese me fqinjët e saj”, theksoi presidenti.
Fjalën e tij në ditën e Lumturimit të humanistes shqiptare, Presidenti Topi e mbylli me shprehjen e besimit dhe të urimit që Nënë Tereza të shpallet shenjtore sa më shpejt dhe që kujtimi i saj dhe roli i popullit, që e lindi dhe e rriti të jenë të përjetshëm.
Më parë ceremonia e zhvilluar sot nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës nisi me përurimin e projektit “Rruga e Mijëvjeçarit për Paqen”, një nismë kjo e Kryetarit të Shtetit në bashkëpunim me Unionin për Paqen dhe Bashkinë e Tiranës, që u realizua për të nderuar kujtimin e Nënë Terezës, me rastin e 100-vjetorit të lindjes dhe përvjetorit të shtatë të lumturimit të saj.
Për ndërtimin e “Rrugës së Mijëvjeçarit për Paqen” tek Liqeni Artificial i Tiranës do të vendosen pllaka, që mbajnë të gdhendur emrat e shumë presidentëve nga mbarë bota, si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën në botë. Në këtë ceremoni së bashku me Kreun e Shtetit shqiptar dhe Zonjën e Parë, Teuta Topi, ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Kryetari i Unionit të Paqes, Xhanfranko Kosta, anëtarë të qeverisë, përfaqësues të trupit diplomatik, Misionaret e Dashurisë (Motrat e Urdhrit të Nënë Terezës), drejtues të bashkësive fetare si dhe mjaft personalitete të shquara të fushave të ndryshme të jetës në Shqipëri dhe të organizatave të huaja.
mit/NOA