Tiranë, 19 tetor, NOA – Një ditë pas ftesës publike që u bëri të gjitha forcave politike për të nisur reformën zgjedhore ditën e premte, kryeministri Sali Berisha i ka dërguar sot ftesë të gjitha partive politike dhe shoqërisë civile, që të marrin pjesë në tryezën e reformës.
Burime nga kryeministria konfirmuan se në këtë ditë pushimi për shqiptarët në kujtim të përvjetorit të shtatë të lumturimit të Nënë Terezës, shefi i qeverisë i ka dërguar letër të gjitha partive parlamentare ku i kërkon të bëhen pjesë e reformës zgjedhore duke qenë se jemi afërsisht 6 muaj larg mbajtjes së zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Shefi i ekzekutivit i dërgoi letra të veçanta partive politike parlamentare pas deklaratave të krerëve të forcave politike.
Në letrat respektive kreu i mazhorancës flet për situatën parazgjedhore.
Në këtë tryezë që do të mblidhet të premten në orën 11.00 pranë Kryesisë së Kuvendit do të diskutohet për reformën për zgjedhjet e ardhshme vendore, sipas udhëzimeve të fundit të OSBE-ODHIR-it.
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje edhe kreut të Partisë Socialiste që të mos bëhej pengesë për nisjen e reformës, por të merrte edhe ai vetë pjesë në këtë nismë.
Por, pak orë pas ftesës së kryeministrit, kryesocialisti Rama reagoi në një konferencë për shtyp duke deklaruar se socialistët do të ulen në tryezën e reformës vetëm pasi të bëhet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Sot në këtë ditë të shënuar për shqiptarët dy kundërshtarët politikë ishin të pranishëm në ceremoninë e përurirmit të “Rrugës së Mijëvjeçarit të Paqes” kushtuar lumturimit të Nënë Terezës.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ndodheshin edhe kryeministri Berisha dhe shefi i opozitës, Edi Rama, mes të cilëve edhe në këtë rast ndodhej kreu i shtetit.
mit/NOA