Milano, 20 tetor, NOA/ Milena Selimi - Tetëdhjetë artistë ekspozojnë në "Scultura italiana del XXI secolo" pranë Fondacionit Arnaldo Pomodoro, në Milano, një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 30 janar.
Ndër këta tetëdhjetë është edhe një artist shqiptar me një karrierë ndërkombëtare, Adrian Paci, që merr pjesë me veprën "Home to go", 2001, kalk në rrëshirë, me përbërje druri dhe terakote, 169x90x120 cm, pjesë e koleksionit privat, Milano.
"Home to go" i përket ciklit të punëve, që Paci ka realizuar me temë emigracionin dhe pasqyron personazhet, të cilat i hasim shpesh në shoqërinë e sotme të tranzicionit, e që shkurtimisht përmblidhet nën termin "migrant".
Një specie, që është ringjallur në shoqërinë shqiptare në dy dekadat më të fundit, një përshkrim, nën të cilin detyrohet të struket një e treta e shoqërisë së sotme shqiptare. Kështu endet edhe personazhi në "Home to go", me sytë përtokë dhe kulmin mbi shpinë, në kërkim të një terreni të përshtatshëm për ta ndërtuar atë.
Titulli "Home to go" kallëzon se ky kërkim nuk do të përfundojë kurrë.
Identiteti i tij është i fiksuar, ai tashmë është i huaj dhe ashtu do të mbetet.
Adrian Paci emigroi me familjen në vitin 1997 dhe u vendos në Milano.
Ai është docent në Akademinë e Arteve të Bergamos dhe në Universitetin e Venecias. Tashmë për artistin shkodran, Italia nuk është më një iluzion, ai ka arritur më së miri të integrohet në këtë vend edhe pse nëpërmjet veprave të tij ka shprehur edhe dëshirën për "t’u kthyer në shtëpi".
Nëpërmjet videove, instalacioneve, pikturave dhe fotografive, Adrian Paci reflekton thuajse përherë me një ironi të dhimbshme, humbjen, por edhe betejën e zbulimit të origjinës, që për të është kthyer në një pikë kyç të ekzistencës së tij.
Ai është përherë në kërkim të pikave të referimit, duke sjellë nëpërmjet veprimtarisë artistike edhe të përditshmen në të cilën ne jetojmë.
Shqipëria, vendi i tij i origjinës, zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Pacit.
m.s/mit/NOA