Tiranë, 20 tetor, NOA – Grupi Task-Force pranë prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë arrestuar sot në kushtet e flagrancës, avokatin Hysni Beti.
Ngjarja konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime pranë prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, ndaj Hysni Betit është regjistruar procedim penal për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/2 i Kodit Penal.
Sipas akuzës, ndaj Hysni Betit me profesion avokat, prej kohësh janë zhvilluar hetime duke përdorur metoda speciale.
Arrestimi i tij është bërë në kushtet e flagrancës në marrjen e shumave 150 mijë dhe 100 mijë lekësh për të ndikuar tek gjyqtari si dhe tek prokurori dhe oficeri i policisë gjyqësore.
Më tej, Task Force ka kryer kontrollin e zyrës së avokatit Hysni Beti me synim mbledhjen e provave materiale, ndërsa arrestimi i tij është bërë në praninë e një përfaqësuesi të Këshillit të Dhomës së Avokatisë.
n.e/NOA