English

Basha: KE vlerëson progresin, 8 nëntori hapi i fundit për heqjen e vizave

Brdo, 20 tetor, NOA - Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian i ka hapur sot dritën jeshile shqyrtimit më 8 nëntor nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së të vendimit mbi heqjen e vizave për Shqipërinë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Lulzim Basha, pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, Stefano Manservisi dhe Shefin e Njësisë për Marrëdhëniet me Jashtë në këtë drejtori, Luigi Soreca, takim i zhvilluar në qytetin Brdo të Sllovenisë në kuadër të konferencës rajonale mbi migrimin e paligjshëm, krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin.

Funksionarët e lartë të Komisionit Evropian e ftuan zyrtarisht Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha të asistojë gjatë mbledhjes vendimmarrëse të Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjen.

Shqyrtimi më 8 Nëntor i rekomandimit të Komisionit nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të vendeve të BE është hapi i fundit i vendimmarrjes për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Zyrtarët e lartë të Komisionit Evropian vlerësuan progresin e arritur nga Shqipëria gjatë procesit të liberalizimit të vizave dhe theksuan se heqja e vizave vjen pas përmbushjes së plotë të kushteve të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Ministri Basha falenderoi Komisioneren Malmstrom dhe zyrtarët e lartë të Komisionit Europian për mbështetjen e madhe, që i dhanë këtij procesi dhe i siguroi ata se puna po vazhdon pa ndërprerje dhe me ritme të shpejta edhe pas këtyre vendimeve historike.

Ministri Basha informoi bashkëbiseduesit mbi fushatën e ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë lidhur me përfitimet dhe detyrimet e lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen, e po kështu për konsolidimin e arritjeve dhe vazhdimin e reformave në të gjitha fushat. “Shqipëria do të vazhdojë të punojë për të konsoliduar edhe më tej progresin e arritur në të gjitha fushat dhe në të njëjtën kohë mbetet e gatshme të raportojë mbi plotësimin rigoroz të kërkesave dhe detyrave të përcaktuara nga Komisioni Europian dhe implementimin e tyre në të ardhmen, mësohet të ketë thënë në këtë takim ministri Basha.

Gjatë punimeve të konferencës përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, si dhe Raporterja e Parlamentit Europian, Tanja Fajon përgëzuan Shqipërinë për plotësimin e kushteve, që çuan në vendimmarrjen për liberalizimin e vizave dhe theksuan se procesi nuk ishte dhuratë, por një proces i bazuar tërësisht në plotësimin nga Shqipëria të standarteve në fushën e sigurisë së dokumentave të identitetit, sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Gjatë ministerialit të Brdo-s, ministrat e brendshëm të vendeve të rajonit shprehën angazhimin e plotë për të mbështetur dhe çuar përpara nismën e Shqipërisë për qarkullimin e qytetarëve të rajonit pa viza dhe pa pasaporta në të gjitha vendet e rajonit. Lëvizja e lirë në rajon, e pagëzuar me emrin Shengen-i ballkanik do t’u mundësojë qytetarëve të lëvizin në të gjithë vendet e rajonit vetëm me karta identiteti.

Në kuadër të këtij angazhimi, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç informoi Ministrin Basha se Serbia do të kryejë brenda një kohe të shkurtër procedurat për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Ministri Basha zhvilloi një takim dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të EUROPOL-it, Rob Ëainëright, i cili u shpreh se EUROPOL do të sjellë së shpejti një mision në Shqipëri për të konkretizuar marrëveshjen Shqipëri-EUROPOL.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, policia shqiptare do të ketë të njëjtin akses për informacion dhe të njëjtin nivel të shkëmbimit të informacionit në fushën operacionale, ashtu si të gjitha shërbimet policore të vendeve anëtare të BE-së.

Gjatë qëndrimit në Slloveni, Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha nënshkroi me Ministren e Brendshme të Sllovenisë, Katarina Kresal protokollin e bashkëpunimit për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar në të dy vendet.

mit/NOA
KOMENTE