English

Bosnja rrezikon luftën

Nga "The Guardian"

Zgjedhjet në Bosnjë kanë përfunduar, por lufta e fjalëve po njeh rritje. Komisioni Zgjedhor në Bosnjë vazhdonte të numëronte votat kur më 12 tetor, kreu i Partisë Socialdemokrate, Zllatko Llagumxhija, kërcënoi me përdorimin e forcës për të penguar shkëputjen e serbëve dhe tërhoqi vërejtjen se si rezultat mund të kishim një tjetër luftë. Partia e Llagumxhisë është një parti qytetare, shumetnike, ndonëse shumicën e votuesve e ka në mesin e boshnjakëve. Gjatë fushatës, ai u përqendrua më shumë në përparimin ekonomik, duke i lënë shumë pak vend nacionalizmit. Për këto arsye, deklarata e tij shkaktoi jo pak dridhje. Pjesërisht, deklarata e tij ishte përgjigje e retorikës parazgjedhore të Millorad Dodikut, i cili për ironi është gjithashtu socialdemokrat. Dodiku gjatë gjithë kohës ka minimizuar krimet serbe dhe ka folur për shpërbërjen paqësore të Bosnjës. Lufta e fjalëve ka ardhur në një kohë të vështirë. Gjatë 15 vjetëve të fundit, bashkësia ndërkombëtare ka mbrojtur integritetin territorial të Bosnjës me anë të trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe përfaqësuesit të lartë civil ndërkombëtar, i cili ka gëzuar fuqi të mëdha qeverisëse. Por, fuqia ndërkombëtare është atrofizuar dhe Dodiku e ka sfiduar me sukses bashkësinë ndërkombëtare. Kjo e fundit tashmë është shumë e përçarë për të rimarrë fuqitë e dikurshme. Radikalizimi i mëtejshëm politik, i kombinuar me pafuqinë e ndërkombëtarëve, është një koktej i rrezikshëm. Në rastin më të mirë do të sjellë një rënie të mëtejshme politike dhe ekonomike. Në rastin më të keq do të çojë drejt incidenteve të dhunshme, e madje deri në një rifillim të luftës, nëse politikanët humbasin kontrollin ndaj tensioneve etnike, të provokuara nga fjalët e tyre. Fati i Bosnjës mbetet në duart e udhëheqësve të saj. Varet nga ju zoti Dodik, nga vullneti juaj për të bashkëpunuar në ndërtimin e një shteti federal. Apo keni vendosur të mos lëshoni pe në qëndrimet tuaja, me shpresën se boshnjakët do të mërziten dhe do ta lënë Republikën Serbe të largohet? Druhem se nëse do të ndiqni variantin e dytë, Bosnja do të fundoset si pasojë e obstruksioneve serbe, por në rrugën drejt mbytjes pa dyshim që do ta marrë dhe Republikën Serbe me vete. Është dhe në dorën tuaj zoti Llagumxhija. Ju pretendoni se përfaqësoni gjithë popullin e Bosnjës, por nga ana tjetër duket se po injoroni pozitën e vështirë të kroatëve. Nga ana tjetër, e dini se kërcënimet tuaja për të përdorur forcën kundër Republikës Serbe, nuk do të materializohen. Ato zhdukin dhe ato pak ndjesi që u kanë mbetur serbëve e kroatëve për Sarajevën dhe i japin Dodikut një justifikim për të qenë obstruktiv. Shumëçka varet nga fakti nëse këta zotërinj do t’i japin fund luftës së fjalëve. Nëse po, ndoshta do të gjejnë bazën e mjaftueshme që t’u japin votuesve atë që duan, një Bosnjë evropiane. Nëse jo, atëherë Bosnjë-Hercegovina përballet me një të ardhme të zymtë.

Përktheu: RFE

KOMENTE