Tiranë, 20 Tetor, NOA - Zbulohen lidhjet shqiptaro-iraniane. Përmes botimit më të ri, nën titullin “Lidhjet shqiptaro-iraniane”, fondacioni “Saadi Shirazi” ka përmbledhur artikuj studimorë nga një numër i madh autorësh të fushave të ndryshme për të hedhur dritë mbi marrëdhëniet, kryesisht kulturore, shqiptaro-perse. Sipas librit, në studimet shqiptare për herë të parë i është kushtuar një vëmendje dashamirëse botës perso-iraniane në periudhën e Rilindjes, kur princesha shqiptaro-rumune Elena Gjika shkroi për kulturën dhe gjuhën perse, si dhe për pozitën e gruas në Iran.
Naim Frashëri do ta niste rrugën e poezisë me një vëllim masnavish në persisht, me titullin “Tehajjulat” - “Endërrimet”; ndërsa i vëllai, Samiu, përveç “Përmbledhjes së Shah-Name-së” në prozë në osmanisht, do të shkruante dy drama me motive prej epopesë heroike perse: “Gjave” dhe “Suhrabi”. Për herë të parë motivet e poezisë klasike perse erdhën në shqip në formën e rikrijimit në poezitë lirike të Naimit: “Fyelli” dhe “Zogu dhe djali”.
Khajami do të gjente dy shqipërues sa të ndryshëm, po aq dhe të jashtëzakonshëm, në gjuhën e vendit: Nolin rikrijues dhe Hafiz Ali Korçën përkthyes. Saadiut dhe Firdeusiut do t’u duhej të prisnin një mjeshtër tjetër, Vexhi Buharanë, kurse Rumiu duhej të priste dhe më shumë. “Në mesin e dekadës së fundme të shekullit të kaluar, kur revista “Perla” nisi të dalë në Tiranë si një periodik i rregullt shkencor-kulturor, megjithatë, shumica e lexuesve, madje dhe një pjesë e bashkëpunëtorëve, nuk e dinin se persët ishin një popull indoeuropian njësoj si shqiptarët; aq më pak se emri i etnik (etnonimi) i iranianëve kishte në rrënjë pikërisht fjalën “arian”, shkruhet në parathënie të këtij libri.
Libri “Lidhjet shqiptaro-iraniane” përmban studime të zgjedhura prej kërkimeve dhe botimeve të autorëve shqiptarë në dy dekadat e fundme, si dhe pak kontribute të të huajve të sjella në gjuhën shqipe, që i takojnë një periudhe të mëhershme. Libri botohet me rastin e Vitit Ndërkombëtar të Afrimit të Kulturave shpallur nga Unesco, vitit 2010. Pas parathënies, libri fillon me artikujt e Prof. dr. Norbert Jokl me titullin “Kontakte shqiptaro-iranike” dhe akademik Shaban Demiraj me “Rreth huazimit të shqipes prej burimit persian”. Afro 30 studjues, akademikë, profesorë, personalitete të kulturës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Iran por edhe nga vende të tjera, do të zbulojë para lexuesit shqiptar pikat e kontaktit të kulturës dhe historisë shqiptare me atë të botës së lashtë e të re perse (Irani i sotëm). Midis të tjerësh, bien në sy emra të tillë studiuesish si Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Jorgo Bulo, Ali Aliu, Alfred Uçi, Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Shaban Sinani, Natasha Rusha, Nasho Jorgaqi, Dhori Qiriazi, studiuesit e rinj Eldon Gjikaj, Albana Veliaj, Monika Stafa, deri tek autorë iranianë si Reza Karami e Shahrouz Falahatpisheh.
n.e/NOA