English

Fehmi Mujota: Kosova pjesë e NATO-s, jo vetëm aspirim

Tiranë, 20 Tetor, NOA - Kosova edhe pse momentalisht nuk ka një ushtri, FSK e saj tani është e përqendruar maksimalisht në arritjet e kapaciteteve të plota operacionale.

Një fakt të tillë e ka bërë me dije gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Tiranë, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Fehmi Mujota, në prani edhe të homologut të tij shqiptar, Arben Imami.

Z.Mujota, në takimin e ministrave të Mbrojtjes së Europës Juglindore, ju zoti Imami shprehët dëshirën që edhe Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse në nisma të tilla, por aty u tha se Kosova nuk mund të përfshihet momentalisht, për faktin se nuk ka një ushtri. Atëherë cila do të jetë e ardhmja e Forcave të Sigurisë së Kosovës?

Mund të theksoj se FSK-ja tani është e përqendruar maksimalisht në arritjet e kapaciteteve të plota operacionale. Më parë, kemi patur një vendim të përbashkët me NATO-n, që kjo të arrihet deri në vitin 2014, por tani është një vendim tjetër, se FSK këto kapacitetet duhet t’i arrijë deri në vitin 2012. Kjo lë të nënkuptohet se deri në fund të vitit 2011, ne mund të kemi një zhvillim shumë pozitiv për FSK-së. Pra do të jetë një moment i ri, kur institucionet e Republikës së Kosovës dhe Aleanca Euro Atlantike e NATO-s do të bashkëbisedojnë për të gjitha hapat e mëtejshme dhe jemi të sigurt se do të merren hapa të rëndësishme politike dhe ushtarake për të ardhmen e Forcës.

Ju thatë që në aspiratat e qeverisë së Kosovës është edhe anëtarësimi në NATO? Si do të funksionojë qeveria e Kosovës pas largimit të LDK-së nga koalicioni?

Aspirimi i qeverisë së Kosovës natyrisht nëpërmjet ministrisë së FSK-së, për të qenë pjesë e NATO-s, nuk është vetëm aspirim. Ky është një fakt që do të vij në kohën dhe momentin e pjekjes së të gjitha kushteve, natyrisht është edhe një fakt tjetër që dëshmon që FSK po rritet nën përgjegjësinë e NATO-s. Askush nuk ka dyshim se krijimi i FSK-së, është një histori suksesi dhe rruga e integrimit në NATO është e sigurt, por që do një kohë të caktuar. Jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë për ngritje kapaciteti, të cilat ende nuk i kemi.

Ndërsa sa ti takon sesi do të funksionojnë institucionet e vendit në situatë të re të krijuar unë mund të them se ekziston një vullnet politik, mbi të gjitha i subjekteve politike, ekziston një përpjekje maksimale e të gjitha termeve politike që të gjitha zgjidhjet gjenden mbi bazën e kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve në fuqi, e natyrisht nuk do të lejohet asnjë vakum institucional, por çdo gjë do të shkoj sipas të gjitha rregullave të caktuara ligjore për të tilla çështje.

A mund të ndikojnë këto probleme mbi njohjen e mëtejshme të Kosovës?

Mbi të gjitha ne sot dëshmojmë se qeveria është e angazhuar me kapacitetet e plota, në të gjitha axhendat shtetërore. Natyrisht që kjo axhendë do të vazhdojë të jetë e plotë në të gjitha drejtimet. Askush nuk ka dëshiruar një moment që të kemi zgjidhje të tilla në kuptim të zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme çka do të jenë ato. Por, edhe ky fakt është një tregues se vendi po piqet me proceset demokratike dhe jemi të sigurt se edhe këtë do ta kalojmë me sukses.

NOA

KOMENTE