English

Grupi i PS: Votim të fshehtë për imunitetin e deputetit Beqja

Tiranë, 20 tetor, NOA – Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka vendosur në mbledhjen e sotme që të kërkojë votim të fshehtë për heqjen apo jo të imunitetit të deputetit socialist, Ilir Beqja, i akuzuar nga deputetët e mazhorancës se ka shkelur kushtetutën duke përfituar fonde publike në konflikt të hapur interesi.

Këtë kërkesë grupi parlamentar i PS-së do t’ia drejtojë kryetares së kuvendit, Jozefina Topalli në seancën e nesërme plenare.

Deputetët e PS-së kanë siguruar se vota e tyre do të jetë kundër heqjes së mandatit të deputetit Beqja.

Ata bëjnë me dije se kanë nisur të mbledhin 27 firma për t’i dërguar Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për interpretimin e neneve të Kushtetutës ku flitet për mandatet e deputetëve.

Sikundër është bërë e ditur nesër, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit do të paraqesë në kuvend dy raporte të ndryshme për imunitetin e deputetit socialist, Ilir Beqja.

Një grup deputetësh demokratë e akuzoi pak javë më parë deputetin Beqja se ka përfituar fonde publike nga Bashkia e Durrësit gjatë kohës kur ishte deputet.

Por, kjo akuzë kundërshtohet nga Partia Socialiste, duke e argumentuar me faktin se Ilir Beqja kur kishte marrë fondin ende nuk ishte betuar si deputet.

Në seancën e nesërme plenare pritet të votohen edhe katër anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të dekretuar nga Presidenti Bamir Topi.

mit/NOA
KOMENTE