Uashington, 20 tetor, NOA - Shtetet e Bashkuara dhe Sllovakia ranë dakort të ndihmojnë në nisjen e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës, bisedime që do të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, dhe ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mikulash Xhurinda, që ndodhet në Uashington deklaruan në një konferencë për shtyp se janë dakort për të ndihmuar vendet e Ballkanit që të integrohen në Bashkimin Evropian.
Por, ministri i Jashtëm sllovak, Xhurinda tha se qeveria e tij nuk ka në plan ta njohë pavarësinë e provincës serbe, sikundër quajti ai Kosovën.
Ministri i jashtëm sllovak, theksoi sikundër bëjnë të ditur mediat amerikane se qeveria e tij nuk do të ndjekin shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës së shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat njohën pavarësinë e Kosovës.
Por, ministri i Jashtëm sllovak i tha sekretares amerikane se shpreson që bisedimet që pritet të nisin mes Beogradit dhe Prishtinës të mund të zbutin tensionet mes dy vendeve.
Në konferencën e përbashkët me zonjën Klinton, ministri i jashtëm sllovak tha se pavarësisht nga ndasitë e tyre në njohjen e Kosovës, ai pajtohet me sekretaren amerikane të shtetit, Klinton për rëndësinë e dialogut Beograd-Prishtinë.
"Qëllimi është për të ndihmuar ose për të lehtësuar, për të vendosur marrëdhënie mes Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të jetë substanciale për të garantuar qëndrueshmërinë dhe qetësinë në rajon”, tha Dzurinda.
Por, sekretarja amerikane e shtetit, Klinton theksoi se statusi i Kosovës, Pavarësia u vendos edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që në korrik shpalli ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së saj.
Por Klinton, nënvizoi se tashmë lipset që të integrohet në BE dhe institucionet euroatlantike i tërë Ballkani Perëndimor.
"Unë mendoj se si SHBA-të si Sllovakia kemi të njëjtat qëllime”, tha zonja Klinton dhe “Natyrisht, ne do të dëshironim të shohim më shumë vende që ta njohin Kosovën tani që Gjykata Ndërkombëtare vendosi se Pavarësia ishte një vendim i drejtë. Por ne gjithashtu e dimë se është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë për të kapërcyer ndasitë historike, kështu që ne mund të kemi një rajon të qetë e të qëndrueshëm dhe të integruar në Evropë”, shtoi sekretarja amerikane e shtetit.
Klinton zhvilloi javën e shkuar një vizitë tre-ditore në Ballkan, që përfshiu ndalesa në Serbi dhe Kosovë.
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton u zotua në përpjekjet për të zgjeruar listën e 70 vendeve që njohin Kosovën e pavarur me të tjera njohje.
mit/NOA