English

Kufiri i kaltër i Kosovës, patrullohet me barka

Prishtinë, 20 tetor, NOA - Policia Kufitare e Kosovës, forcat doganore dhe Agjencia Veterinare dhe e Ushqimit kanë realizuar një aktivitet të përbashkët për luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera ilegale dhe në të njëjtën kohë kjo ndikon në fuqizimin e bashkëpunimit në mes këtyre institucioneve.

Ky aktivitet që është përgatitur në kuadër të një plani të përbashkët të agjencive përgjegjëse dhe ka për qëllim përforcimin e bashkëpunimit mes tyre, si edhe luftimin e aktiviteteve ilegale dhe të kundërligjshme si kontrabanda, kalimi ilegal i kufirit etj. Aktiviteti i përbashkët në kuadër të planit të koduar me emrin“Kontrolli i rreptë” që u realizua sot në afërsi të pikë-kalimit kufitar në Vërmicë tregon angazhimet konkrete në luftë kundër kontrabandës duke përfshirë edhe patrullimet e përbashkëta të Policisë kufitare dhe Doganës me barkë në vijën e kaltër në Liqenin e Vërmicës.

Patrullat e përbashkëta të PK-së dhe Doganës së Kosovës kanë realizuar kontroll përgjatë vijës së kaltër, vijës së gjelbër si dhe kontroll në pikë kalimin kufitar në Vërmicë si pjesë e realizimit të objektivave që parashihen në planin e veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Vetë nocioni i Menaxhimit të Integruar të Kufirit nënkupton bashkërendimin dhe bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjitha autoriteteve kompetente të përfshira në sigurinë kufitare dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe vendosjen e një sistemi efikas dhe efektiv të menaxhimit të integruar të kufirit, në mënyrë që të arrihet qëllimi i përbashkët i kufijve të hapur, por të kontrolluar mirë dhe të sigurt.

Ky koncept u zhvillua nga Komisioni Evropian dhe parashikohet në Udhëzimet MIK për vendet e Ballkanit Perëndimor , të cilat shërbejnë si bazë për zbatimin e aktiviteteve për menaxhimin e integruar të kufijve në rajon, si dhe ofron udhëzime për hartimin e Strategjive Kombëtare dhe planeve të veprimit për MIK.

Strategjia Kombëtare e Republikës së Kosovës për MIK, ndjek udhëzimet MIK të KE për Ballkanin Perëndimor dhe përqendrohet tek tri agjencitë kryesore që kanë përgjegjësi në Kufi: Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe Agjencia e Veterinës

n.e/NOA

KOMENTE