English

Kur digjet një flamur

Presidenti i Kosovës jep dorëheqjen. Gjykata Kushtetuese konkludon se ka pasur shkelje të Kushtetutës. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë te porta. Konfliktet mes dy partive politike kosovare janë të acaruara aq sa dialogu demokratik midis tyre është bërë i vështirë

Nga Artan Fuga

Gjatë kësaj jave, lajmet e agjencive të mediave dhe të informimit publik ndërkombëtar nuk lanë pa trajtuar edhe incidentet e dhunshme në stadiumin ku po luhej ndeshja e futbollit midis Italisë dhe Serbisë. Punë tifozësh, aman. Arbitri anuloi ndeshjen meqë me ato huliganizma ishte në rrezik jeta e spektatorëve të zakonshëm, që paqësisht kishin ardhur të shijonin një ndeshje futbolli. Autoritetet e futbollit dhe të ruajtjes së rendit publik nuk mund të bënin sikur asgjë nuk kishte ndodhur dhe pastaj, në ekranet e gjithë globit, njerëzit të shihnin duke u luajtur një ndeshje, ndërkohë që Lubçoja apo dikush tjetër, hipur mbi telat rrethues të fushës që të priste fijet e të ndizte zjarr. Por, në mes kësaj gjullurdie banale që nuk ndodhin, megjithatë, shumë rrallë në vende të ndryshme, ku tifozë të dehur, lloj-lloj tipash kriminalë apo agresivë, shpërthejnë nën efektin dehës të turmës, çfarë hynte flamuri shqiptar? Këtë nuk ka Zot që ta kuptojë. Vërtet ishte një episod pa pikë lidhjeje. As kombëtarja e Shqipërisë nuk po luante në atë ndeshje. As tifozë shqiptarë nuk po brohorisnin për Italinë, as kundër skuadrës serbe, as po hidheshin slogane në shqip, as kishte të bënte gjë me Kosovën. Djegia e flamurit shqiptar ishte një efekt anësor dhe i tillë duhej trajtuar, pavarësisht se media të ndryshme shqiptare e paraqitën ngjarjen sikur thelbi, epiqendra e sherrit, në një stadium në Itali, paskësh qenë nxjerrja e flamurit shqiptar nga tifozët dhe reaksioni violent i disa tifozëve serbë kundër tij që shkoi deri në djegien e flamurit. Aq më shumë që nuk ishte as flamuri i Kosovës, por i Shqipërisë. Kuptohet se mediat shqiptare do ta përqendronin vëmendjen te çështja e flamurit. Mirëpo, kështu deformohet disi informacioni që transmetohet, sepse duket sikur çështja shqiptare mund të vihet në diskutim nëpër stadiume, nga tifozë të dehur, aq sa edhe FIFA me anë të arbitrave të saj pezulloi ndeshjen. U duk se problemi shqiptar perturboi jetën paqësore në një vend fqinj, ndonëse edhe pa dashjen e shqiptarëve. Në fakt, nuk ishte aspak ashtu. Çështja e flamurit ishte krejtësisht pa lidhje dhe anësore. Djegia e flamurit nuk besoj se i shqetëson fare shqiptarët, të cilët e shohin këtë si një akt të dehurish, huliganë, që nuk kanë as kulturën më minimale për të parë qetësisht një ndeshje futbolli. Por, përpos kësaj, në këtë rast sulmi ndaj simbolit ishte pa lidhje me dëmtimin e asaj që simboli shpreh. Duke qenë të sigurt për qëndrueshmërinë e vlerave shqiptare, pra të objektit, djegia e flamurit në stadium duket një akt krejtësisht pa ndonjë përmbajtje, sulm kundër simbolit pa pasur mundësinë për të dëmtuar asgjë nga ajo që simboli në fjalë shpreh. Dhe nga kjo pikëpamje duket si një akt qesharak dhe i përbuzur me shpërfillje. Çështja shqiptare është diçka shumë më e rëndësishme sesa për t'u debatuar e bërë objekt sherri mes tifozësh nëpër stadiume. Është një çështje e paqtuar tashmë, saqë nuk përbën asnjë shqetësim për rendin publik në asnjë vend ku ka serbë dhe shqiptarë në Perëndim. Midis këtyre dy komuniteteve në Perëndim nuk ka konflikte dhe kjo vjen nga pjekuria e njerëzve që kanë familje dhe dëshirojnë të jetojnë njerëzisht në një botë demokratike. Në Perëndim, shqiptarët nuk kanë asgjë për debatuar dhe ndarë në mënyrë konfliktuale me serbët. Çështja shqiptare nuk është fare një rrezik për rendin në vendet e demokracisë Perëndimore. Megjithatë, në këtë rast, ne si shqiptarë dalim të fituar, sepse duke na goditur simbolin tonë ne jemi viktima të një sulmi të dikujt apo disave që nuk kanë edukatën e duhur morale. Dhe viktimat paqësore gjithmonë kanë mbështetjen e opinionit publik demokratik. Në këtë mënyrë, në gjithë botën qarkulloi ai mesazh ku simbolet shqiptare digjeshin pafajësisht. Prandaj, nuk pata shqetësim fare nga djegia e flamurit, veçse mendoja se kushedi sa do të jepnin armiqtë gjakftohtë të Shqipërisë, jo turma individësh të eksituar, që ai flamur të mos digjej aty, sepse pasojat shkonin në të mirë të shqiptarëve. Megjithatë, akti vandal tregoi edhe një herë për politikanët e Kosovës se qëndrojnë mbi një rezultat të rëndësishëm historik, pavarësinë, që gjithsesi ka frustruar turma të ndryshme në Ballkan. Nuk duhet të harrojmë që Perëndimi ka investuar shumë për çështjen shqiptare. Është demokratizimi i Shqipërisë dhe pavarësimi i Kosovës që i ka dhënë mundësi flamurit shqiptar që të valëvitet i lirë kudo. Flamuri shqiptar edhe në atë ndeshje ishte në anën e vlerave Perëndimore. Ndonëse nuk e di se e kujt ka qenë ajo ide për ta nxjerrë e treguar aty, ndërkohë që nuk kishte fare lidhje ngjarja që po zhvillohej aty as me Shqipërinë dhe as me Kosovën. Pa asnjë lidhje. Nuk është shqetësuese djegia e flamurit, janë shqetësuese ngjarjet politike që po ndodhin në Kosovë këto kohët e fundit. Presidenti i shtetit të ri jep dorëheqjen. Gjykata konkludon se ka pasur shkelje kushtetuese. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë te porta. Konfliktet mes dy partive politike kosovare janë të acaruara aq sa dialogu demokratik midis tyre është bërë i vështirë. Ministra që largohen nga kabineti qeveritar. Debatet në Kuvendin e Kosovës po bazohen mbi akuza të rënda për korrupsion. EULEX ka bërë disa bastisje në zyra të shtetit të ri për të mbledhur prova për akte korruptive. Intervistat e deputetëve kosovarë në televizione tregojnë acarimin e tyre në fjalor, gjeste, tone... Duket qartë se politika kosovare është e shqetësuar dhe nuk po gjen stabilitet, dhe në një kohë që ka praninë dashamirëse të faktorit demokratik Perëndimor si dhe mbështetjen e fuqishme nga ky faktor në planin gjeopolitik. Si do të tregojë se është e zonja për të qeverisur në sovranitet të plotë, sikurse duhet ta provojë me kulturë, dinjitet, urtësi? Të tilla vlera gjenden me shumicë te qytetarët e Kosovës. Kjo është shqetësuese. Ndërkohë që vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është e drejtuar nga shteti i ri për të parë ecurinë e tij. Ndërkohë që duhet provuar se Kosova nuk është shtet i dobët, nuk do të jetë një shtet i brishtë, sikurse e akuzonin projektin shtetformues armiqtë dhe kundërshtarët e tij, nuk ka vend që klasa politike kosovare të mos tregojë sens dialogu, respekt ndaj ritmeve të rinovimit të institucioneve politike, dinjitet dhe pastërti morale të painfektuar nga asnjë hije korrupsioni. Në këtë mënyrë dhe vetëm kështu do të mund të ndodhë ajo që na kërkonin aleatët e saj dhe të gjithë shqiptarëve, kur na thoshin ne fituam luftën, por ju duhet të fitoni paqen. Ja përse nuk është shqetësuese aq ngjarja në stadiumin italian, në krahasim me normalizimin dhe shëndoshjen e jetës politike në Kosovë.

KOMENTE