English

Meta në Kryesinë e LSI: Reforma zgjedhore të bëhet në kohë, jo minutat e fundit

Tiranë, 20 tetor, NOA – Rigjallërimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim është një proces i cili ka filluar me realizmin dhe përfundimin e zgjedhjeve edhe në të 11 njësitë e kryeqytetit deri në dhjetor, por njëkohësisht edhe me shpalljen e zgjedhjeve për të gjitha njësitë vendore të LSI në qarkun e Fierit dhe në qarkun e Beratit, me qëllim që deri në 15 dhjetor edhe në këto dy qarqe të jenë ripërtërirë të gjitha strukturat e kësaj force politike.

Kështu u shpreh kryetari i LSI, Ilir Meta në mbledhjen e Kryesisë, duke pohuar se kjo forcë politike ka kërkuar me kohë nisjen e një pune konkrete të një platforme të prekshme për të përmirësuar më të tej standardet e zgjedhjeve në vendin tonë.

“Në mënyrë që të tregojmë një përgjegjshmëri përpara partnerëve ndërkombëtarë që e kërkojnë me insistim bërjen e reformës zgjedhore në kohë në Shqipëri dhe jo për të toleruar shtyrjen e saj në minutat e fundit sikurse gjithnjë ka ndodhur pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit të segmenteve të caktuara për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme, dhe të barabarta jo vetëm për gjithë forcat politike por të barabarta për çdo qytetarë të Shqipërisë që vota të jetë e shenjtë dhe e barabartë”, tha Meta më tej.

Duke përfunduar se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë me kontributin për çështjen zgjedhore, ndaj i ka kërkuar komisionit për Çështjet Elektorale dhe Zgjedhore të LSI të shprehë bashkëpunimin dhe ta intensifikojë përgatitjen e tij, në mënyrë që ne të jemi të aftë si gjithmonë për të hedhur ide konkrete që çojnë më lartë standardet e zgjedhjeve në vendin tonë.

n.e/NOA

KOMENTE