Kamëz, 20 tetor, NOA - Koha ka sjellë si nevojë e domodosdoshmëri që në të gjithë hartimin e politikave të zhvillimit si kudo edhe në Kamëz, komuniteti dhe aktorët e rëndësishëm të shoqërisë civile të jenë faktorë i rëndësishëm.
Roli i tyre ka bërë që planifikimi dhe projektet për zhvillimet e ardhshme të jenë më afër realiteteve e nevojave reale të gjithë komunitetit.
Pjesë e kësaj politike ishte edhe hartimi dhe miratimi njëzëri i buxhetit shtesë në Bashkinë e Kamzës, i cili u votua unanimisht nga të gjitha forcat politike.
Bashkia e Kamzës realizoi 100% buxhetin e vitit 2010 dhe në sajë të menaxhimit dhe administrimit me profesionalizëm përgatiti buxhetin shtesë, i cili do të shkojë i gjithi për investime.
Konkretisht, fondi limit për investimet e tenderuara në vitin 2010 është 368,202,940 lekë, vlera e fituar e tenderimit është 308,089,144 lekë pra, fondi i kursyer nga tenderimet e vitit 2010 është në vlerë absolute 60,113,796 lekë ose 16.5 %. Gjithashtu janë kursyer fonde nga pagat e sig. shoq 14,500,000 lekë si dhe nga shpenzimet operative, në total kursimi nga shpenzimet e funksionimit është 23,576,135 lekë.
Pra, gjithsej kursimet e vitit 2010 janë 48,100,239 lekë, shumë kjo e përdorur për hartimin e buxhetit shtesë, i cili do të shkojë i gjithi për investime.
Vetëm për një vit në Kamëz janë ndërtuar rrugë sipas standardeve më të përparuara evropiane, me një gjatësi prej afro 13 mijë metrash. Janë ndërtuar e vënë në funksion të qytetarëve të Kamzës rreth 8500 metra KUZ, tregues këto të një pune intensive të qeverisjes vendore, realizmit në menaxhimin e të ardhurave të Bashkisë.
n.e/NOA