Tiranë, 20 tetor, NOA - Ministria e Punëve Publike dhe Transportit në vijim të procesit të transparencës me median për çështje të procedurës koncesionare të dhënies me konçesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove bën me dije se Prokuroria e Tiranës duke iu referuar ankesës së shtetasit francez, Bernard Burrier, përfaqësues i Sas Sakar ka vendosur pushimin e hetimit të çështjes.
MPPT, citon vendimin e oraganit të akuzës që thotë se “megjithatë shkeljet e konstatuara nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në dokumentacionin e paraqitur nga shoqëria Sas Sakar kanë qenë të mjaftueshme, që ofertuesi ankimues të skualifikohej dhe oferta e tij të konsiderohej e pavlefshme“.
Gjithashtu mësohet se organi i akuzës ka verifikuar se nuk rezultojnë elementë të ndonjë vepre penale në masën e veprimeve në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e ligjit të koncesioneve dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, që ka cënuar lirinë e pjesëmarrësve dhe barazinë e shtetasve në tendera publike me qëllim krijimin e avantazheve ose priviligjeve të padrejta për të tjerët dhe aq më tepër në kuptimin e përgjithshme të kryerjes me dashje të këtyreve veprimeve, që përbëjnë mospërmbushje të rregult të detyrës nga personat në ushtrim të funksionit publik.
Ministria e Punëve Publike bën me dije se subjekti i skualifikuar Sas Sakar për këtë procedurë ka ndjekur të gjitha fazat e ankimit të parashikuar në legjislacionin administrativ, gjyqësor civil pranë Gjykatës së Tiranës, dhe atë penal.
mit/NOA