English

“Një shenjë për Lord Bajronin”, Bashkia e Tiranës shpall konkurs për memorialin e tij

Tiranë, 20 tetor, NOA - Dikur Lord Bajroni shkroi: “Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi mbi ty…”. Sot na takon të kthejmë sytë tanë drejt mikut të shquar të shqiptarëve.

Ndaj, për këtë arsye, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bajronit, shpall nismën duke lançuar konkursin e hapur “Një shenjë për Lord Bajronin” në Tiranë.

Konkursi është i hapur për të gjithë ata që e ndiejnë se mund të kontribuojnë me idetë dhe punën e tyre për një shenjë për Lord Bajronin.

Organizatorët dëshirojnë të drejtojnë thirrjen e tyre ndaj artistëve të rinj të arteve pamore, si edhe arkitektëve të rinj, studentë apo të sapodiplomuar, të cilët janë të lutur të kontribuojnë me idetë dhe krijimtarinë e tyre.

Vepra për Lord Bajronin duhet të jetë një vepër e përbërë, ku do të paraqiten: një shenjë përfaqësuese e Bajronit, në gjatësinë e plotë të portretit të piktorit Thomas Philips; sfondi, ku do të shkruhen disa vargje nga krijimtaria e tij; mikromjedisi.

Në vëmendje të veprës duhet të jetë paraqitja e kostumit shqiptar, i cili është fokusi i atij portreti (tablloja e piktorit Philips).

Shenja përfaqësuese e Bajronit duhet të derdhet në bronz dhe do të vendoset në hyrje të rrugës që mban emrin e tij.

Në hyrje të rrugës “Lord Bajron”, pas rehabilitimit të saj kohët e fundit, është hapur një shesh (hapësirë publike) i gjerë, i cili është vlerësuar nga specialistët urbanistë, i përshtatshëm për vendosjen e shenjës për Lord Bajronin.

Vendosja e kësaj vepre në sheshin e krijuar nga rikualifikimi urban i zonës mbështet idenë dhe vizionin e krijimit të nënqendrave urbane në qytetin e Tiranës dhe do të shtojë listën e elementeve që tërheqin vëmendje dhe turistë, si vendas ashtu edhe të huaj, në qendrën e rikualifikuar të Laprakës, e cila kohët e fundit është pasuruar me një qendër multimediale e bibliotekë, si edhe me mjedise të reja shkollore.

“I jam shumë mirënjohës Shoqatës Shqiptare të Bajronit, për mundësinë që na jep ne si Bashki e Tiranës, që të bëjmë diçka sado modeste për të vlerësuar dhe respektuar këtë figurë të rëndësishme për historinë dhe marrëdhëniet e të tjerëve me ne”, tha në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Sipas tij, vlerësimi i figurës dhe veprës të Bajronit, me një shenjë në këtë qytet, përbën një dëshirë që është më shumë se sa dëshira e admiruesve të afërt të projektit, përbën një dëshirë që është dëshira jonë, që t’i bëjmë të pranishëm në hapësirën e këtij qyteti, ata të cilët nuk jetojnë më, apo vepra e të cilëve është e njohur për një rreth të ngushtë njerëzish, por që në jetën dhe veprën e tyre kanë dëshmuar interes dhe siç është rasti për Bajronin, pasion për Shqipërinë, për kulturën shqiptare, për zakonet shqiptare, për kostumet shqiptare.

“Sot, Bajroni e ka një shenjë në këtë qytet, sepse ka një rrugë në Tiranë që mban emrin e tij, por kjo që ne kërkojmë të bëjmë, është më shumë se një emërtim rruge dhe sigurisht është një dëshirë për ta sjellë edhe në kohë, kujtimin e veprës së tij. Megjithatë, e quajtëm më të udhës që kjo shenjë e cila mund të jetë çfarëdoqoftë që artistët që do të përfshihen në këtë konkurs, të propozojnë, të vendoset në një hapësirë publike të reduktuar në krah të rrugës që mban emrin e Lord Bajronit, që për ata që nuk e dinë është rruga që lidh rrugën e “Durrësit” me Spitalin Ushtarak në Laprakë”, tha ai.

Duke përfunduar se konkursi i shpallur sot, ka si afat të dorëzimit të projektit datën 26 nëntor 2010, pra 5 javë nga data e shpalljes, ndërkohë që fituesit do të shpallen më 27 nëntor 2010.

Vlerësimi do të bëhet nga një grup i përzier artistësh dhe intelektualësh dhe juria do të ketë 5 anëtarë. Përbërja e jurisë do të shpallet nga organizatorët në përfundim të afatit të konkurimit, në faqen zyrtare të konkursit. Fituesit do të shpallen në një veprimtari të veçantë kushtuar Lord Bajronit.

Çmimet e konkursit:

a) Çmimi për idenë më të mirë – 50. 000 L

b) Çmimi për veprën më të mirë – 100. 000 L

c) Çmimi për mjedisin më të mirë – 50. 000L

n.e/NOA

KOMENTE