Tiranë, 20 tetor, NOA – Ndërsa opozita paralajmëroi nisjen e protestave menjëherë pas vendimit për heqjen e vizave që do të marrin ministrat e Brendshëm të BE-së më 8 nëntor, selia blu i ka kërkuar drejtësisë të nisë sa më parë nxjerrjen para drejtësisë të kampionëve të korrupsionit, atyre që përfitonin nga 20 përqindshi mbi lejet e ndërtimit.
Deputeti demokrat, Gert Bogdani deklaroi në një konferencë për shtyp se “Tashmë u bë një kohë e gjatë që nga shpërthimi i skandalit të 20 përqindëshit, që ka në qendër përfitimet qindramilionëshe të Edi Ramës dhe të sekserit të tij në projektin e Liqenit”.
Sipas Bogdanit, tashmë Prokuroria nuk mund të bëjë të paditurin, sa kohë që janë në dritën e diellit, si kontrata 20 përqindëshe, me firmën dhe pjesën e Leprit, ashtu dhe projekti me godina 35 - katëshe tek parku i Liqenit.
Në këtë kontekst, Bogdani më të rëndë se heshtjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës para akuzave të ngritura ndaj tij, gjykon faktin se organet e specializuara nuk po veprojnë ende për ta zbardhur çështjen.
“I kapuri me karrota në duar po hesht si “Lepri”, sepse ai më mirë se kushdo tjetër e di se ç’farë fshihet pas kësaj afere të madhe korrupsioni. Ai nuk pranon të japë shpjegime për atë, që është tashmë në sytë e të gjithë qytetarëve të Tiranës, ndërkohë, që është i akuzuari i madh”, theksoi deputeti demokrat.
Deputeti Bogdani i bëri thirrje organit të akuzës të nisë sa më parë hetimin e çështjes duke respektuar kështu jo vetëm kushtetutën por edhe qytetarët e vendit.
“Është koha që kampionët e korrupsionit në kontinent të japin llogari për qindra milion euro të pista dhe për filozofinë e shëmtuar të 20 përqindëshit”, përfundoi deklaratën e tij deputeti i PD-së, Gert Bogdani.
mit/NOA