Tiranë, 20 Tetor, NOA - Presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy, mbërrin sot në Tiranë, në kuadrin e një turneu dy ditor të tij në Ballkan,i cili ka nisur që ditën e djeshme, duke shënuar kështu vizitën e tij të parë në Tiranë.
Stacioni i parë i qëndrimit të tij në Ballkan ka qenë dje Mali i Zi, për të vazhduar më pas në Maqedoni e sot në Bosnjë-Hercegovinë dhe Shqipëri, ku mesazhet e linçuara prej tij në këtë pjesë të Ballkanit janë demokracia, qeverisja e mirë, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor, si edhe lufta e vendosur dhe efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidenti i Bashkimit Europian , para se të niset në këtë tur ballkanik, e ka vënë theksin në mbështetjen që Bashkimi Europian u jep këtyre vendeve në procesin e integrimit dhe përpjekjet që këto shtete duhet të bëjnë në këtë rrugëtim drejt tijj.
Në Shqipëri, presidenti Van Rompuy do të takohet me presidentin e Republikës Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha.
“Projekti evropian gjithmonë është udhëhequr nga dëshira për paqe dhe bashkim. Unë besoj se në shtëpinë evropiane ka vend për Ballkanin Perëndimor. Le ta quajmë këtë “destini evropian”. Jam i sigurt që një ditë ky destin evropian do të përmbushet për të gjitha këto vende. Unë do t’i bëj ftesë Këshillit Evropian të reflektojë mbi këtë çështje në një të ardhme të afërt”, ka thënë ai para vizitës së tij në Shqipëri.
n.e/NOA