English

PS: Berisha, po vodhe dhe bashkëpunove me mafian të bën “President”

Tiranë, 20 tetor, NOA – Selia rozë ka reaguar sot ndaj deklaratave të një dite më parë të kryeministrit Sali Berisha, i cili mbrojti ministren e Integrimit, Majlinda Bregu ndaj akuzave për korrupsion dhe lidhjeve të saj me mafian të lëshuara nga opozita.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit dhe mbrojtjes që ai i bëri ministres së kabinetit të tij, duke theksuar se ministrja Bregu nuk ka pse ta japë dorëheqjen, pasi akuzat e saj janë të pavërteta, deputeti socialist, taulant Balla deklaroi sot se “kryeministri Sali Berisha tregoi dje moralin e qeverisë së tij”.

“Berisha tha dje se ministrja Bregu s’jep dorëheqjen dhe s’ka pse ta japë, duke nënvizuar se ministrja Bregu është e denjë për presidente”, theksoi deputeti Balla.

Balla citoi kryeministrin që kishte deklaruar se akuzat se Bregu i ka dhuruar kunatit liçenca HEC-esh nuk kanë asgjë të keqe, duke nënvizuar se kryeministri Berisha nëse vjedh dhe abuzon me postin të bën ministër.

“Por, ndërsa pasuria e kësaj ministreje është bërë objekt hetimi për lidhje të thella mafioze”, deputeti Balla aludoi se kryeministri nëse vjedh e bashkëpunon me mafian të bën president.

Në këtë kontekst deputeti socialist kërkoi të dijë se “ç’farë posti pret Sali Berisha t’i japë Albino Prudentinos”.

Kryeministri Sali berisha në një emisin televiziv kishte deklaruar se akuzat e opozitës ndaj ministres së Integrimit majlinda Bregu janë çnjerëzore.

Kryeministri Berisha e ka anashkaluar komentin në lidhje me akuzat për koncesione të dhëna nga Bregu, dhe duke mbrojtur ministren Bregu tha se merret me kunetërit.

mit/NOA
KOMENTE