English

“Reporterët pa Kufij”: Liria e medias, Shqipëria zë vendin e 80-të

Uashington, 20 tetor, NOA – E vendosur mes Panamasë dhe Malavisë, Shqipëria zë vendin e 80-të në klasifikimin e 178 vendeve të botës sa i përket treguesit të lirisë së shtypit, sipas raportit më të fundit të botuar nga organizata “Reporterët pa kufij” për vitin 2010.

Duke lënë pas në renditje vetëm Kosovën, përkatësisht në vendin e 92-të, Shqipëria renditet si vendi i parafundit nga të gjitha vendet e tjera të rajonit ku ajo gjendet sa i përket indeksit aktual të respektimit të lirisë së medias.

Me treguesin konkret prej 21.5 pikësh në klasifikimin e “Reporterëve pa kufij”, vendi ynë lihet pas përshembull nga Greqia, e cila zë vendin e 70-të me kuotën e 19 pikëve; nga Bullgaria gjithashtu e cila gjendet në të njëjtin nivel; nga Kroacia e cila zë vendin e 92-të me 17.5 pikë; nga Rumania e cila renditet e 52-ta në këtë listim me 16 pikë; nga Bosnjë-Hercegovina, që zë vendin e 47 me 13.5 pikë; si edhe Maqedonia në vendin e 68-të me 18 pikë.

Ndërkaq, Shqipëria ka mundur të parakalojë edhe Malin e Zi, i cili renditet poshtë saj, konkretisht, në vendin e 104-t me 28.5 pikë.

Nga ana tjetër, sa i përket këtij klasifikimi, vendin e parë për respektimin e lirisë së mediave, e zënë sërish vende të tilla si Finlanda, Islanda, Holanda, Norvegjia, Suedia,

Zvicra, Austria, Zelanda e re, Estoni, Danimarkë, Irlandë, Japoni, Lituani, Belgjikë, Luksemburg, Maltë etj; sipas kësaj renditje.

n.e/NOA

KOMENTE