English

Shteti i pushtetit

Zëvendësimi i deputetëve, ministrave, kryetarit e kryeministrit të Kosovës është gjithsesi i nevojshëm, por kurrsesi i mjaftueshëm. Ndryshimi i sistemit bashkë me çlirimin nga dominimi i kësaj shtrese prej miqsh të pushtetarëve, është kombinimi fitues për qytetarët e Kosovës sot. Sepse pushteti aktual jo vetëm që nuk është vetëm pushtet politik, por ai është më së paku politik. Pushteti sot është pushtet financiar e kulturor, ekonomik e social, që i fut në përdorim të gjitha lidhjet familjare e personale për hir të vetvetes. Shteti i Kosovës është vënë në shërbim të këtij lloji të pushtetit që mirëmban e riprodhon veten pikërisht në llogari të shtetit. Institucionet e sistemit në vend se t’i krijojnë mundësitë e vetëkorrigjimit po i sajojnë kushtet e moskorrigjimit. Pushteti i këtillë jeton duke e ngrënë shtetin.

Nga Albin Kurti*

Qytetarëve të Kosovës u nevojitet tjetër lloj i shtetit: aso që është në shërbim të prodhuesve vendës e jo të tregtarëve të huaj, të punëtorëve e punësimit vendës e jo të korporatave të huaja shfrytëzuese, në shërbim të vullnetit dhe interesave të qytetarëve në përgjithësi e jo në funksion të lakmisë së një shtrese të veçantë që ditën janë politikanë e natën biznesmenë. Kjo shtresë është fare pak përqind e popullatës së gjithëmbarëshme, mirëpo ajo kontrollon krerët e policisë, prokurorisë e gjyqësisë, tenderët, bordet e menaxhmentet e ndërmarrjeve publike, dirigjon me shumë (krye)redaktorë të mediave dhe personel akademik të universiteteve, dhe është e lidhur ngushtë me shërbimet informative dhe baronët e kontrabandës.

Zëvendësimi i deputetëve, ministrave, kryetarit e kryeministrit të Kosovës është gjithsesi i nevojshëm, por kurrsesi i mjaftueshëm. Ndryshimi i sistemit bashkë me çlirimin nga dominimi i kësaj shtrese prej miqsh të pushtetarëve, është kombinimi fitues për qytetarët e Kosovës sot. Sepse pushteti aktual jo vetëm që nuk është vetëm pushtet politik, por ai është më së paku politik. Pushteti sot është pushtet financiar e kulturor, ekonomik e social, që i fut në përdorim të gjitha lidhjet familjare e personale për hir të vetvetes. Shteti i Kosovës është vënë në shërbim të këtij lloji të pushtetit që mirëmban e riprodhon veten pikërisht në llogari të shtetit. Institucionet e sistemit në vend se t’i krijojnë mundësitë e vetëkorrigjimit po i sajojnë kushtet e moskorrigjimit. Pushteti i këtillë jeton duke e ngrënë shtetin.

Qytetarët e Kosovës përballë një këso makinerie pushteti, më shumë i frikësohen shtetit sesa që i gëzohen atij. Shteti është shndërruar në një vegël të atyre që duan ta frikësojnë qytetarin dhe jo të atyre që nuk frikësohen ta duan atë. Shteti nuk iu del zot atyre që kanë më së shumti nevojë por zotërohet prej atyre që i bëjnë nevojtarë të tjerët. Vendimet kryesore politike në Kosovë merren nga ata të cilët nuk preken nga këto vendime. Ky shtet është bërë arma me të cilën pushtetarët i kanë mbështetur për muri qytetarët. Dhe, nuk është problemi te arma por tek ata që e kanë armën. Me këtë shëndetësi të mjerë, me këtë arsim të dobët, pa ushtri, pa vende pune dhe pa prodhim, me shpronësim të shoqërisë e publikut përmes privatizimit të resurseve natyrore dhe kapaciteteve zhvillimore, regjimi, thjesht, thuajse tenton ta vrasë popullin. Kjo politikë është vrasje në tentativë me paramendim. Sepse kur popullsinë e lë të pambrojtur ushtarakisht dhe materialisht, kur e varfëron dhe e lë pa shëndetësi, siguri dhe edukim, kjo gjithsesi është vrasje në tentativë. Me këso orientimi shtetëror Kosova po shndërrohet në një vend të pajetueshëm. Ose, më saktë, po bëhet vend i pajetueshëm për shumicën e qytetarëve që s’do ta përballojnë dot skamjen përderisa pasuria e këtij vendi s’do ta përballojë dot pakicën prej pushtetarëve.

Kosova e sotme është shtet ku përballen interesat e pakicës me të drejtat e shumicës. Pakica realizon interesa të panevojshme për jetesën e zakonshme ndërsa shumicës nuk i takojnë as të drejtat themelore njerëzore.

Kemi interesa si interesa për luks të pakicës dhe nuk kemi të drejta as si të drejta për mbijetesë e dinjitet për shumicën. E gjithë kjo për shkakun e njëjtë: pakica në pushtet e ka në dorë komplet shtetin. Shteti duhet t’i merret prej duarve kësaj pakice në mënyrë që ai t’i shërbejë shumicës së popullsisë. Shteti në duart e pakicës paraqet pranga për duart e shumicës. Ky çlirim i shtetit prej pushtetit është i domosdoshëm për demokracinë. Bashkimi i qytetarëve dhe i shoqërisë për shtet kundër këtij pushteti është rruga e duhur përpara. Aq më tepër kur e keqja më e madhe është pikërisht keqësimi i vazhdueshëm. Dhe, aq më tepër kur realiteti po bëhet shumë më i ashpër se fjalët tona.

*Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje

KOMENTE