Vjenë, 20 tetor, NOA - Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe homologes së saj austriake, Barbara Prammer, u organizua një ceremoni solemne në kuadër të përvjetorit të lumturimit të Nënë Terezës me titullin “Dita Shqiptare”.
Në shenjë nderimi për figurën e humanistes Nënë Tereza, misionares së shquar shqiptare, në këtë ceremoni solemne, e cila u zhvillua në hollin kryesor të parlamentit austriak, morën pjesë personalitete të larta të jetës politike, ekonomike dhe kulturore të Austrisë e të Shqipërisë, si edhe miq të ngushtë austriakë që ndër vite kanë mbështetur Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në këtë ceremoni, e cila zhvillohej dhe në kuadër të heqjes së vizave për Shqipërinë,
personalitete të larta të politikës austriake i përcollën kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli përgëzimet më të mira për ndryshimet e pabesueshme që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve.
Në fjalën e saj, Topalli, si e ftuar nderi në shtëpinë e madhe të demokracisë austriake përshëndeti përzemërsisht të pranishmit duke shprehur njëkohësisht edhe mirënjohjen për këtë nder të veçantë që i bëhet vendit tonë, me anë të aktivitetit “Dita Shqiptare”.
Në mënyrë të veçantë, Jozefina Topalli u shpreh se ndihej e privilegjuar që në emër të të gjithë shqiptarëve falënderonte Austrinë për këtë nderim të jashtëzakonshëm që i bëhet misionares së madhe shqiptare.
Gjatë vizitës në Austri, kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar takime të veçanta me krerët më të lartë të shtetit austriak, konkretisht me presidentin austriak, Heiz Fischer, me të cilin u diskutua gjerësisht mbi progresin e reformave në Shqipëri, situatën ekonomike si dhe procesin e integrimit europian.
Në vijim të vizitës, kryetarja e Kuvendit zhvilloi gjithashtu një takim të veçantë edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, ku ajo shfrytëzoi rastin për t’i shprehur mirënjohjen e thellë për lobingun e madh që ai ka bërë gjatë gjithë muajve të fundit në mbështetje të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.
Ishte ministri i Jashtëm i Austrisë bashkë me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, që i janë drejtuar me anë të një letre të përbashkët ministrave të Bashkimit Europian për të mbështetur lëvizjen e lirë të shqiptarëve si dhe integrimin europian.
Lidhur me procesin e heqjes së vizave, kryetarja e Kuvendit tha se shqiptarët po presin me një sens të madh përgjegjësie gjysmën e dhjetorit, kohën në të cilën ëndrra shqiptare do të shndërrohet në realitet. n.e/NOA