English

Topi dekoron artistin konceptual holandez, Jan Dibets

Tiranë, 20 tetor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi nderoi sot me Urdhrin “Nënë Tereza”, artistin e famshëm konceptual holandez, Jan Dibets.

Në ceremoninë zyrtare të organizuar në sallën “Skënderbeu” të Institucionit të Presidentit ishin të pranishëm edhe kryetari i Senatit hollandez, Rene Van Der Linden; ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri; ambasadori holandez në Tiranë, Henk Van Del Dool; drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, piktorë dhe personalitete të shquara në fushën e artit dhe anëtarë të Kabinetit të Presidenti.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi zotit Jan Dibets urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi “Për pasurim me vlera të rralla të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.”

Duke e falenderuar presidentin Topi për vlerësimin e lartë që iu bë, zoti Dibets u shpreh: “Kurrë nuk e kisha menduar se do të arrija të mblidhja këtë koleksion, të cilin e kam ekspozuar në Shqipëri. Nuk e dija kurrë që ky koleksion i vogël do të shpërblehej me një nderim kaq të madh dhe shpresoj që ky do të jetë fillimi i një të ardhmeje të re kulturore që Shqipëria të zërë vendin e vet në kulturën botërore, sepse vetëm kultura është ajo që e bashkon shoqërinë dhe e pajis me një ndjenjë tjetër që asnjë grupim politik, apo ushtri nuk mund ta bëjë dot”.

n.e/NOA

KOMENTE