English

Topi-Van Der Linden: Shqipëria, ndryshime të jashtëzakonshme

Tiranë, 20 tetor, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot kryetarin e Senatit të Vendeve të Ulëta, Rene Van Der Linden dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë.

Në këtë takim, dy personalitetet vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit që karakterizon vendet tona dhe shprehën besimin për thellimin e mëtejshëm të tyre.

Presidenti Topi u shpreh se “ne jemi të angazhuar në intensifikimin e dialogut politik me Vendet e Ulëta, nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë dhe kjo do të kontribuonte në nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve”.

Në këtë kuadër, ai vlerësoi diplomacinë parlamentare, si një fushë të rëndësishme bashkëpunimi, si dhe shprehu besimin që edhe bashkëpunimi në fusha të tjera me interes të ndërsjellë: si ekonomia, tregtia etj, janë në funksion të rritjes së bashkëpunimit dypalësh.

Presidenti Topi vuri në dukje se kompanitë dhe investitorët holandezë janë të mirëpritur të rrisin ndjeshëm praninë e tyre në Shqipëri. Në vijim, pasi vuri në dukje rëndësinë e integrimit të vendeve të rajonit ballkanik në Bashkimin Evropian si një garanci për stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të tyre dhe me gjerë, presidenti Topi vlerësoi angazhimin e qeverisë holandeze për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e zhvillimeve demokratike në këtë vend, si dhe kontributin për miratimin e rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Nga ana e tij, kryetari i Senatit të Holandës, Rene Van Der Linden pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë vlerësoi ndryshimet e jashtëzakonshme dhe arritjet që vendi ynë ka shënuar gjatë viteve të fundit.

Pasi shprehu mbështetjen pa rezerva për përmbushjen e aspiratave integruese të popullit shqiptar, Van Der Linden theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të mundësohet e përshpejtohet nga përmbushja e kritereve dhe standardeve të kërkuara ku një rol të rëndësishëm do të luajë edhe konsolidimi i institucioneve si dhe cilësia e tyre, shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe forcimi i kulturës demokratike.

n.e/NOA

KOMENTE