English

Topi-Van Rompuy: Nevojiten reforma më intensive për një qeverisje më të mirë

Tiranë, 20 tetor, NOA - Vullneti dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve të kërkuara, janë dëshmi e interesit dhe e angazhimit të pandërprerë të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë për integrimin evropian.

Një fakt i tillë u theksua gjatë takimit që presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi me presidentin e Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në vendin tonë, brenda turit të zhvilluar në Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni.

Duke iu referuar fazës aktuale ku ndodhet Shqipëria në pritje të dy vendimeve historike, atë të zyrtarizimit të liberalizimit të vizave dhe opinionit për marrjen e statusit të vendit kandidat, kryetari i shtetit shqiptar e njohu presidentin e Këshillit Evropian me mobilizimin e strukturave tona dhe intensifikimin e fushatës për sensibilizimin dhe njohjen e qytetarëve shqiptarë mbi procesin e liberalizimit të vizave, detyrimet dhe të drejtat që rrjedhin prej tij.

“Ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë e angazhimet e mëdha që mbart ky vendim”, - nënvizoi presidenti i Republikës dhe shprehu bindjen se “vota e Parlamentit Evropian në 7 tetor 2010, të cilën ne e përshëndesim, do të pasohet nga miratimi i Ministrave të Brendshëm të BE-së, në takimin e datës 8 nëntor 2010”.

Në vijim të bisedës, Topi u ndal edhe në çështjet e bashkëpunimit rajonal, ku kryetari i Shtetit nënvizoi rëndësinë e rritjes së intensitetit të këtyre marrëdhënieve mes fqinjëve, duke nxitur dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok e rajonal, që, siç tha ai, i shërben zhvillimit të vendeve tona, afrisë së mëtejshme të kulturave e popujve tanë, drejt realizimit të synimit të përbashkët integrimit evropian.

Nga ana e tij, Herman Van Rompuy, pasi falenderoi edhe në emër të delegacionit për pritjen e ngrohtë, shprehu mbështetjen e pa rezerva për të ardhmen evropiane të Shqipërisë duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së reformave integruese.

Ai vuri në dukje nevojën për reforma më intensive në fusha si konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve të pavarura demokratike, lufta kundër korrupsionit, shteti i së drejtës dhe mbrojtja e lirive e të drejtave të njeriut si dhe përpjekjet për një qeverisje edhe më të mirë. Të dy personalitet e larta ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket të ardhmes së sigurt të të gjitha vendeve të rajonit, ku në këtë kontekst Presidenti i Këshillit Evropian u shpreh se nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit rajonal, i tërë Ballkani Perëndimor do të zërë vendin e vet të merituar në gjirin e familjes së madhe evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE