English

Van Der Linden: Më çudit harmonia fetare që keni

Tiranë, 20 tetor, NOA –Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti kryetarin e Senatit të Holandës, Rene Van Der Linden.

Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Holandës dhe veçanërisht asistencën e vyer të qeverisë holandeze në fushën e mirëqeverisjes dhe forcimin e shoqërisë civile.

Ministri vuri në dukje dy momentet kyçe në të cilat ndodhet Shqipëria në kuadër të integrimit evropian, në pritje të liberalizimit të vizave dhe opinionit mbi aplikimin për anëtarësim, dhe theksoi se parimi që ka drejtuar të dy këto procese ka qenë ai i meritës mbi performancën e vendit.

Ministri Haxhinasto përcolli ftesën për investimet holandeze në Shqipëri, veçanërisht në fushat ku Holanda ka dhe ekspertizë të spikatur, si energji dhe bujqësi.

Van Der Linden u shpreh se ishte i impresionuar nga progresi i arritur nga Shqipëria në një kohë të shkurtër, duke çmuar dhe vlerat e harmonisë ndërkulturore dhe ndërfetare në vend. Ai vlerësoi perspektivën evropiane të Shqipërisë duke shprehur mbështetjen për rezultatet konkrete të arritura, të cilat janë inkurajuese për të ardhmen.

Van Der Linden gjithashtu evidentoi se mes Shqipërisë dhe Holandës mund të vendoset dhe zhvillohet më tej një bashkëpunim më intensiv në fushën e edukimit, për të arsimuar studentët shqiptarë pranë universiteteve holandeze, të cilët përbëjnë dhe një urë direkte dhe konkrete lidhje për kompanitë që duan të investojnë dhe të jenë prezente në Shqipëri.

Në takim, u diskutua dhe mbi zhvillimet rajonale, ku u vlerësua roli i Shqipërisë për pajtimin dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

n.e/NOA

KOMENTE