English

Van Der Linden: Shqipëria, në rrugën e mbarë drejt Bashkimit Evropian

Tiranë, 20 tetor, NOA - Kryetari i Senatit të Holandës në takimin e zhvilluar sot me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, u shpreh se Shqipëria është në rrugën e mbarë drejt Bashkimit Evropian.

“Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm në vitet e fundit. Hllanda mbështet procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë si dhe integrimin e Shqipërisë në BE”, ishte garancia që Van Der Linden i shprehu Topallit gjatë një takimi të zhvilluar sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, ndërsa ndodhet për një vizitë tre-ditore në Shqipëri.

Më tej, gjatë takimit, kryetari i Senatit të Holandës i vlerësoi si mbresëlënëse ndryshimet e jashtëzakonshme që Shqipëria ka shënuar vitet e fundit, veçanërisht sipas tij, progresi i hapave drejt liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian është domethënës.

“Është një kënaqësi e veçantë të kthehem sërish në Shqipëri si një mik i shqiptarëve dhe të konstatoj që nga vizita ime e fundit këtu, ndryshimet dhe progresin e jashtëzakonshëm që vendi ka shënuar”, u shpreh Van Der Linden.

Procesi i liberalizimit të vizave, ishte ndër temat kryesore ku dy homologët u ndalën gjerësisht. Nga ana e tij, Van Der Linden vlerësoi reformat e implementuara nga shteti shqiptar në funksion të këtij procesi dhe e cilësoi këtë moment shumë të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, e veçanërisht për të rinjtë, të cilëve i’u hapen dyer të reja për të studiuar si dhe për të ardhmen e tyre.

Kryetarja e Kuvendit, Topalli shprehu garancinë e plotë se qytetarët shqiptarë do të përmbushin me dinjitet detyrimet që rrjedhin pas procesit të liberalizimit të vizave. Ajo tha gjithashtu se parlamenti ka punuar fort muajt e fundit, duke miratuar ligje shumë të rëndësishme në përmbushje të të gjitha kushteve për procesin e liberalizimit të vizave.

“Ne kemi kaluar ligje shumë të rëndësishme në Parlament në mbështetje të liberalizimit të vizave. Kemi miratuar ligje që forcojnë luftën kundër krimit të organizuar, siç është ligji anti-mafia, e shumë ligje të tjera në përputhje me legjislacionin e BE”, u shpreh Topalli ndërsa shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e opozitës në miratimin e këtyre ligjeve të rëndësishme.

Në fund, kryetari i Senatit të Holandës cilësoi si pozitive reformat e gjithanshme e sidomos reformat në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu, ai nxiti vijimin e mëtejshëm të këtyre reformave në kuadër të këtij procesi.

n.e/NOA

KOMENTE