Kamëz, 21 tetor, NOA – Gjatë inaugurimit të shkollës së re 9-vjeçare “Azem Hajdari” në Zall Mner, të Kamzës pranë Tiranës kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje opozitës të heqë dorë nga mohimi i arritjeve në vend dhe t’i bashkohet zhvillimit të pandalshëm dhe integrimit të vendit që është në një rrugë pa kthim prapa.
“Ne u bëjmë thirrje drejtuesve të alternativës së hiçit të heqin dorë prej saj, t’u ofrojnë shqiptarëve alternativat e tyre, t’u ofrojnë e t’u tregojnë shqiptarëve se çfarë do të bëjnë e mund të bëjnë ata, sepse me mohim nuk shkon asgjëkund. Ndaj edhe një herë le t’u bëjmë thirrje të bashkohen në këtë projekt të madh të Shqipërisë Europiane, të harrojnë se mund të ndërtojnë mure para shqiptarëve dhe se mund të pengojnë procesin e integrimit të tyre”, theksoi kryeministri Berisha.
Duke shprehur mirënjohjen për autoritetet vendore dhe të gjithë ata, të cilët vendosën që shkolla e Zall Mnerit të mbajë emrin e heroit të demokracisë shqiptare, tribunit të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdari”, shefi i ekzekutivit tha se “Alternativa jonë është alternativa e ndryshimit të këtij vendi, e ndërtimit të Shqipërisë evropiane”.
Alternativa jonë është alternativa e ndërtimit të shkollave e kopshteve të reja, rrugëve të reja, e ndërtimit të ujësjellësve, kanalizimeve, e rritjes së pagave dhe pensioneve, e rritjes në tërësi të mirëqenies së familjeve shqiptare, e punësimit të tyre”, shtoi zoti Berisha.
Gjatë inaugurimit të shkollës së re 9-vjeçare “Azem Hajdari” në Zall Mner, të bashkisë Kamëz, e ngritur me një investim prej 160 milion lekësh të Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve.
Kryeministri Berisha i uroi nxënësit dhe stafin pedagogjik të shkollës për mjediset e reja, por veçanërisht për emrin që ajo mban.
“Ky emër, - u shpreh Kryeministri - ju jep juve nder të madh. Azem Hajdari, emri dhe vepra e tij, janë nder i madh për çdo shqiptar”, theksoi kryeministri.
Shefi i qeverisë vizitoi klasat dhe ambientet e tjera mësimore të shkollës së re, në klasat e së cilës do të mësojnë jo më shumë se 29 nxënës për çdo klasë.
mit/NO